BALLINA BreadCrumbTrailer Arkivi - Lajme

Kosova vazhdon pjesëmarrjen aktive si anëtare e rrjetit EPA

20.09.2018- Kryeshefi ekzekutiv i AMMK-së, Ilir Morina po merr pjesë në konferencën e 31-të plenare të Rrjetit EPA që po mbahet në Edinburg të Skocisë.

 

Qëllimi i këtij takimi që po mbahet nën moton “Të mbajmë ritmin me ndryshimet” është shkëmbimi i përvojave mbi ndryshimet që po ndodhin në kontestin e zhvillimit të qëndrueshëm si dhe vazhdimi i diskutimeve të rëndësishme mjedisore nga agjenda dhe aktivitetet e Komisionit Evropian, Agjencisë së Mjedisit të Evropës dhe të Programit Copernicus.

 

Disa nga temat kryesore të cilat po adresohen në kuadër të sesioneve të veçanta tematike të takimit janë: menaxhimi i emergjencave mjedisore, infrastruktura e qëndrueshme mjedisore, parashikimet dhe skenarët për mjedisin si dhe investimet dhe financat për sektorin e mjedisit.

 

Pjesë e rëndësishme e agjendës së takimit janë edhe prezantimet dhe aktivitetet e zhvilluara në kuadër të grupeve të interesit që funksionojnë në kuadër të EPA Net sikurse janë: përmirësimi i rregullatives ligjore, shkenca dhe qytetari, ekonomia e gjelbër, mbetjet plastike dhe ai grupit të interesit për Ballkanin Perëndimorë.

 

Rrjeti EPA përbëhet nga drejtorët dhe udhëheqësit e Agjencive të Mjedisit të vendeve të Evropës. Kosova është anëtare me të drejta të plota e këtij rrjetit  që nga viti 2011 dhe përfaqësohet në këtë organizatë përmes kryeshefit të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, z.Ilir Morina.

 
Prapa