BALLINA BreadCrumbTrailer Arkivi - Lajme

Një vlerësim për mbeturinat e rrezikshme industriale në Kosovë

07.11.2019- Në Kosovë ekziston një sasi e konsiderueshme e mbeturinave të rrezikshme të deponuara, në vende jo të përshtatshme dhe me rrezik për mjedisin. Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, bazuar në të dhënat e grumbulluara nga institucionet e ndryshme relevante dhe nga vizitat monitoruese në terren ka bërë një vlerësim për gjendjen aktuale të këtyre mbeturinave.

 

Ky raport është raporti i parë i këtij lloji i publikuar në Kosovë, që e ka në fokus gjendjen e mbeturinave të rrezikshme dhe përfshinë kryesisht të dhënat për mbeturinat e rrezikshme industriale. Shumica e këtyre mbeturinave kanë mbetur si pasojë e proceseve industriale nga e kaluara, ku shumë fabrika dhe reparte industriale ishin shkatërruar dhe demoluar duke lënë kështu edhe shumë kimikate te rrezikshme si mbeturina.   

 

Mes tjerash raporti ofron informacione të përmbledhura për sasinë dhe vend-ndodhjen e mbeturinave të rrezikshme, përbërjen kimike të këtyre mbeturinave, të dhënat për origjinën e tyre, vëllimin e mbeturinave të rrezikshme, mënyrën si menaxhohen ato, rrezikun që paraqesin për mjedisin dhe shëndetin, gjendjen aktuale te tyre, masat e ndermarra deri me tani per zvogelimin e rrezikut, legjislacionin perkates qe e rregullon këtë sektor si dhe nevojën për hartimin e një plani për trajtimin e tyre në të ardhmen.

 

Raporti evidenton edhe faktin se përkundër monitorimit të vazhdueshëm dhe mbajtjes nën kontroll të mbeturinave të rrezikshme industriale nga ana e Inspektoratit të MMPH, KFOR dhe FSK, ato ende paraqesin rrezik për mjedisin dhe ekosistemin në tërësi deri sa të bëhet asgjësimi i tyre përfundimtar.

 

Raporti konkludon po ashtu se përkundër shumë hulumtimeve nga institucionet monitoruese, kompetente dhe përkundër këtij vleresimi bazik, është e nevojshme që të bëhet një hulumtim më i detajuar për përbërjen dhe llojin e këtyre mbeturinave të rrezikshme, shkallën e rrezikshmërisë në mjedis, si dhe ndikimin potencial në shëndet, ujë, tokë apo ajër.

 

 

Për më shumë shihni raportin

 

Mbeturinat e rrezikshme industriale në Kosovë

 
Prapa