BALLINA BreadCrumbTrailer Arkivi - Lajme

Publikohen të dhënat e inventarit të emisioneve të ndotësve në ajër dhe modelimi i shperndarjes se tyre në territorin e Kosovës

23.02.2021- Në kuadër të projektit “Menaxhimi i Informacioneve për Cilësinë e Ajrit, Ndryshimin e Sjelljes dhe Shërbimet e Komunikimit”, të mbështetur nga Fondacioni i Mijëvjeçarit të Kosovës – MFK, si pjesë e komponentës “Azhurnimi i inventarit të emetimeve në ajër: Metodologjia e hollësishme për inventarin e emetimeve të substancave ndotëse në Kosovë”, janë publikuar të dhënat për  Inventarin e emisioneve të ndotësve në ajër dhe modelimi i emisioneve në ajër në Kosovë për vitin 2018.

 

Inventari i emisioneve në ajër është përgatitur për tërë territorin e Kosovës. Përgaditja e intentarit është bërë në bashkëpunim me Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës dhe me përdorimin e inputeve edhe nga projekti ”Zhvillimi i kapaciteteve për kontrollin e ndotjes së ajrit në Kosovë” i mbështetur nga Agjencia Japoneze për Bashkëpunimi Ndërkombëtar (JICA).

 

Viti bazë për zhvillimin e bazës së të dhënave të emisioneve ka qenë viti 2018, dhe për përgaditjen e inventarit janë shfrytëzuar të dhena nga matjeve, të dhëna statistikore dhe të dhëna tjera të nevojshme në nivelin nacional dhe lokal.

 

Inventari i emisioneve përfshinë ndotësit: PM10, PM2.5, NOx, SO2, CO dhe NMVOC total. Në kuadër të inventari i emisioneve janë përfshirë këto burime të emetimit: djegiet e vogla, transporti, industria, deponitë e mbeturinave, guroret dhe bujqësia.

 

Rezultatet e inventarit tregojnë se në emetimet totale nga të gjitha burimet, djegiet e vogëla kanë  pjesëmarrje prej 69% (PM10) dhe 84% (PM2.5), në emetimet totale të PM-së, transporti merr pjesë me 12% (PM10) dhe (7%) për (PM2.5), industria dhe guroret me 17% (PM10) dhe 8% (PM2.5), ndërsa bujqësia 3% (PM10)  dhe 1% ((PM2.5).  Pjesëmarrja e emetimeve nga sektorë të ndryshëm dallon në rastin e NO2: djegia e vogël - 5%, transporti 32%, industria - 56% dhe bujqësia - 9%.

 

Inventari i emisioneve të ndotësve në ajër është një nga burimet më të rëndësishme të inputit për modelimin e cilësisë së ajrit dhe parashikimin e cilësisë së ajrit.

 

Modelimi i cilësisë së ajrit ofron informata mbi shpërndarjen hapësinore të ndotjes së ajrit (ku ndotja e ajrit është më e keqja ose më e mira), tregon zonën me tejkalime standarde të cilësisë së ajrit dhe jep informata se cilat burime të emetimit janë përgjegjëse për nivelet e larta të ndotjes. Modelimi i cilësisë së ajrit për vitin 2018 mbështet sistemin e monitorimit të cilësisë së ajrit me shpërndarjen hapësinore të ndotjes në një zonë të vendit (jo vetëm në pikat e matjeve). Rezultatet e modelimit kanë konfirmuar se problemi më i madh janë grimcat e ngurta (PM10 dhe PM2.5) në zonat urbane.

 

Sipas rezultateve të modelimit, ka shumë zona të ndotura me PM10 dhe PM2.5 në Kosovë ku përqendrimet e PM-së janë mbi vlerat kufitare. Në përgjithësi, zonat me përqendrime të larta të ndotëve PM10 dhe PM2.5 mbimbulohen me vendndodhjen e burimeve kryesore të emetimeve siç janë qytetet e mëdha dhe rrugët kryesore. Rajonet me ndotje shumë të lartë të PM-së (që tejkalojnë standardet kombëtare): rajoni i Prishtinës, rajoni i Prizrenit, rajoni i Mitrovicës, Gjilanit, Gjakovës dhe Ferizajit. Tejkalime parashikohen edhe në qytete më të vogla.

 

Djegia e vogël (ngrohja shtëpiake) ka kontributin më të madh në përqendrimet vjetore të ndotjes nga PM10 dhe PM2.5 në shumicën e zonave urbane. Përqindja mesatare e sektorit të djegies së vogël në përqendrimin e PM10 është rreth 50% (PM10) dhe 57% (PM2.5). Ngrohja shtëpiake kontribuon në përqendrimet e PM10 dhe PM2.5 në nivelin 56% dhe 58% në Prishtinë.

 

Tejkalimet e përqendrimet vjetore të NO2 janë të vogla dhe të koncentruara në disa qytete si: Prishtina, Fushe Kosova, Obiliqi, Ferizaji, Gjilani, Prizreni dhe të tjerët. Tejkalime janë vërejtur edhe përgjatë rrugëve kryesore, posaçërisht autostradave dhe rrugës rajonale nga Ferizaj përmes Prishtinës në Mitrovicë. Nuk ka tejkalime të parashikuara të përqendrimeve për orë të NO2 në territorin e Kosovës.

 

Në rastin e NO2, transporti ka kontributin më të madh në përqendrimin vjetor për pjesën më të madhe të zonave urbane. Kontributi mesatar i sektorit të transportit në përqëndrimet e NO2 është rreth 57% në nivel vendi dhe 61% në Prishtinë. Nuk ka tejkalime të parashikuara të kufijve për orë dhe ditë për SO2.

 

Për më shumë detaje shihni:

 

Azhurnimi i inventarit të emetimeve në ajër:  Metodologjia për inventarin e emetimeve të substancave ndotëse në Kosovë dhe rezultatet per vitin 2018

 

Shtojca II: Permbledhje e sektoreve, pasigurive, azhurnimet dhe kategorite kyçe

 

Prapa