BALLINA BreadCrumbTrailer Eko-opinion BreadCrumbTrailer Çka janë ligatinat dhe cila...

Çka janë ligatinat dhe cila është rëndësia e Konventës Ramsar ?

Prania e temave mjedisore sot nuk është e rrallë në mediat tona të shkruara dhe elektronike, mirëpo problemet e tjera socio-ekonomike e politike shpeshherë i sfidojnë problemet mjedisore, ndonëse ato nganjëherë nuk zgjojnë interesim të theksuar. Edhe pse këto në shikim të parë  janë të lidhura ngushtë me standardin dhe mirëqenien tonë, problemet mjedisore duhet të trajtohen si pjesë e pandashme e proceseve të përgjithshme, për faktin se cilësia e mjedisit ku ne jetojmë, e kushtëzon edhe cilësinë e jetës tonë. Pra, problemeve mjedisore duhet t’iu qasemi në mënyrë  më të ndjeshme për të arritur  efektin e duhur.

Sot bëhen 40 vjet kur në Ramsar të Iranit është miratuar Konventa për Ligatinat, e cila njihet ndryshe me emrin Konventa e Ramsarit. Kjo është marrëveshje ndërshtetërore që trajton ruajtjen e ligatinave me rëndësi ndërkombëtare, posaçërisht si habitate të shpendëve të ujit. Prandaj,2 shkurti është një nga 30 ditët e kalendarit mjedisor dhe kjo ditë si edhe ditët e tjera mjedisore, nga institucionet e ndryshme në mbarë botën,  merret si shkas për të treguar përkushtimin ndaj ruajtjes së natyrës dhe mjedisit.

Përkufizimi i termit ligatinë, ndoshta për lexuesin e rëndomtë, mund të mos jetë i edhe kuptueshëm, ndërsa kur përmenden fjalët moçal dhe kënetë, atëherë kjo edhe mund të prodhojë një përshtypje jo aq të këndshme. Arsyeja e kësaj është e kaluara jo e largët kur ligatinat janë tharë pasi që janë konsideruar si toka të ndotura, si pengesa për banim dhe për zhvillimin e bujqësisë, si vende potenciale që rrezikojnë shëndetin e njeriut. Kjo, ndoshta ishte qasje e gabuar, ngase tharja e tyre ka shkaktuar zhdukjen e shumë bimëve, shpendëve dhe kafshëve të tjera të egra, që kanë qenë të lidhura me këto vendbanime,kështu që edhe sot ekosistemet ligatinore janë resurset më të rrezikuara mjedisore.

Ligatinat përfshijnë afër 6 % të sipërfaqes së përgjithshme të globit dhe janë ndër mjediset më produktive. Ato konsiderohen si “djep i diversitetit biologjik”, duke ofruar ujin dhe produktivitetin primar për ekzistencën e llojeve të shumta të bimëve dhe shtazëve. Ato mbështeten në përqendrimin e lartë: të gjitarëve, shpendëve, zvarranikëve, ujëtokësorëve, peshqve dhe llojeve jo kurrizore. Sipas disa ekspertëve shërbimet e ekosistemeve ligatinore ofrojnë përfitime të mëdha ekonomike, 4.9 miliard dollarë në vit. Vlen të përmendet orizi që është një bimë e zakonshme e ligatinave, dhe shërben si ushqim bazë për më se gjysmën e njerëzimit, pastaj rreth 2/3 e gjuetisë botërore të peshkut janë të lidhura me bregdetin dhe zonat e ligatinave. Gjithashtu, nga vlerat e ligatinave përfitojnë edhe: bujqësia, transporti, energjia, turizmi etj.

Kompleksi dhe ndërveprimi i faktorëve fizik, kimik dhe biologjik i ekosistemeve ligatinore, mundëson që të kryejë shumë funksione, si p.sh. deponimin e ujit, depozitimin e shkarkimeve të shirave dhe rrjedhjeve ujore, stabilizimin e kushteve klimatike, kontrollimin e përmbytjeve, shtrëngatave dhe të erozionit..

Për shkak të vlerave dhe përfitimeve që ofrojnë ligatinat, shtetet e ndryshme po i kushtojnë vëmendje ruajtjes së tyre. Për këtë dëshmon rritja e vazhdueshme e numrit të ligatinave me rëndësi ndërkombëtare, por edhe i shteteve nënshkruese të kësaj konvente, që nga viti 1971 e deri më sot. Konventa e Ramsarit së pari ishte nënshkruar nga 18 shtete dhe institucione të tjera tjera shkencore dhe organizata ndërkombëtare, ndërsa sot është e nënshkruar nga 160 shtete. Pra, rrjeti i saj përbëhet prej 1911 zonave ligatinore të rëndësisë ndërkombëtare, me sipërfaqe prej 186 950 196 hektarësh.

 

A ka Kosova ligatina dhe si trajtohen ato?

 

 

Kosova, pasi që është shtet i ri nuk ka arritur ende të nënshkruajë Konventën e Ramsarit, mirëpo tash e tutje duhet të angazhohemi për nënshkrimin e kësaj konvente si dhe konventave tjera mjedisore.

Edhe pse tek ne mungon një inventar i plotë për: florën, faunën dhe habitatet, gjithashtu as numri i ligatinave nuk dihet. Por, dihet se ekosistemet ujore në Kosovë janë të përfaqësuara me një gamë të llojeve të ligatinave si liqenet e akullnajave dhe livadhet me lagështi, burimet ujore, përrenjtë, lumenjtë, rezervuarët artificiale të ujit, hurdhat e peshqve etj. Në mesin e tyre vlen të përmenden akumulimet artificiale në Batllavë, Badovc, Radoniq, liqenet glaciale në Malet e Sharrit dhe në Bjeshkët e Nemuna, rrjedhat e lumenjve të: Drinit të Bardhë, Sitnicës, Lumëbardhit të Pejës dhe të Prizrenit, Moravës së Binqes, ligatina në Henc,e shumë të tjera. Edhe pse ndoshta asnjë nga këto nuk do të mund t’i plotësojë kriteret e Konventës Ramsar për shkak të sipërfaqes së tyre, prapëseprapë këto paraqesin zona të rëndësishme hidrologjike, të flora dhe faunës, që duhet hulumtuar, inventarizuar dhe ruajtur.

Në Raportin e progresit për vitin 2010 thuhet se është shënuar progres substancial në fushën e legjislacionit mjedisor, mirëpo zbatimi i tij ende nuk është i kënaqshëm. Gjithashtu, ekzistojnë edhe probleme të tjera të shumta, kështu që institucionet tona duhet të angazhohen në zgjidhjen e tyre. Mungesa e strategjisë dhe planit të veprimit për biodiversitetin; mungesa e planeve hapësinore dhe menaxhuese për zonat e mbrojtura i bën resurset natyrore edhe më të pambrojtura përballë shfrytëzimit të pakontrolluar të tyre. Sektorët ekzistues për natyrën në kuadër të Ministrisë përkatëse duhet përkrahur me qëllim të arritjes së kapaciteteve të nevojshme për t’u përballur me kërkesat dhe nevojat e kohës.

Prandaj, në kohën kur ne po nxjerrim ligje të reja duke u bazuar në direktivat e Bashkimit Evropian dhe në konventat e tjera ndërkombëtare mjedisore dhe kur po synojmë aderimin në këtë familje të madhe, në mesin e një grumbull të kritereve nuk duhet harruar dhe lënë anash edhe ato që kanë të bëjnë me mbrojtjen e natyrës. Nëse e përmendim rrjetin ekologjik “Natura 2000”, i cili është një sistem integral i zonave të mbrojtura në kuadër të Bashkimit Evropian, dhe përfshin zonat sipas Direktivës së Habitateve dhe të Shpendëve, atëherë duhet të dimë se kriteret bazë për identifikimin dhe përcaktimin e këtyre zonave janë shumë rigoroze dhe të bazuara në argumente të mirëfillta shkencore. Vendet e rajonit në kuadër të këtij procesi kanë kaluar disa vjet. Prandaj duke u bazuar në kapacitetet tona që kanë të bëjnë me mbrojtjen e natyrës dhe duke marrë shfrytëzuar përvojën e duhur të  vendeve të tjera, sa më parë duhet të fillojmë me projekte të mirëfillta hulumtuese, shkencore për biodiversitetin. Pa njohjen e plotë të llojeve dhe habitateve, nuk mund të hartojmë programe të qëndrueshme dhe afatgjate për mbrojtjen e tyre. Pra, mbrojtja e natyrës do të jetë njëra nga sfidat e ardhme të Kosovës drejt integrimeve në BE.

 

Ylber SHERIFI

 

Master në Ekologji dhe Mbrojtje të Mjedisit