BALLINA BreadCrumbTrailer Eko-opinion BreadCrumbTrailer Nevoja për funksionalizimin e AKMM-së

Nevoja për funksionalizimin e AKMM-së

Përveç sfidës kryesore të cilës i është dhënë prioritet nga të gjithë në Kosovë, Qeveria e Kosovës në përgjithësi dhe MMPH-ja në veçanti, po tregon përkushtimin e saj maksimal në preventiven, menaxhimin dhe zgjidhjen e problemeve mjedisore në Kosovë.

Aktualisht Kosova ende gjendet në periudhën e tranzicionit, në periudhën e vënies së bazave të shëndosha për rimëkëmbjen ekonomike, në periudhën e ngritjes së kapaciteteve të reja energjetike dhe kështu, mjedisi sot është nën trysni permanente nga sektori i energjetikës, transporti, industrisë, ndërtimit dhe urbanizimit.

Duke qenë të vetëdijshëm për trysnitë ndaj mjedisit, duke qenë të vetëdijshëm se sidomos pas zgjidhjes së statusit, pritet intensifikim i aktiviteteve ekonomike, dhe se ngritja e ekonomisë në Kosovë bazohet kryesisht në resurset natyrore të saj, ne po mundohemi që të respektojmë parimin kryesor të mbrojtjes së mjedisit në relacion me zhvillimin ekonomik, parimin e zhvillimit të qëndrueshëm. Pra, "të plotësojmë nevojat tona jetësore, pa i cenuar (komprometuar) të drejtën e gjeneratave të ardhshme që edhe ata të plotësojnë nevojat e tyre".

Nuk mund të paramendohet kualitet i lartë i jetës, pa ruajtjen e sasisë dhe kualitetit të parametrave themelorë mjedisorë, ajrit, ujit, tokës. Dhe për këtë, nevojitet angazhim maksimal nga Qeveria, nga pushteti lokal dhe shoqëria civile.

Pas orientimit dhe përcaktimit të politikave mjedisore, pas përcaktimit te objektivave mjedisore siç janë paraparë në Strategjinë për Mbrojtjen e Mjedisit dhe në Planin Kombëtar për Veprimin në Mjedis, pas vënies së legjislaturës themelore mjedisore të cilat janë bërë në harmoni më kërkesat dhe kriteret e BE, MMPH-ja tanimë i ka proceduar në parlament edhe propozim ligjet të cilat do të fuqizojnë (rregullojnë) instrumentet kryesor për menaxhimin dhe kontrollin mjedisor e që janë: VNM (Vlerësimi i Ndikimit në Mjedis), VSM (Vlerësimi Strategjik Mjedisor) dhe IPPC (Preventiva dhe Kontrolli i Integruar i Ndotjes).

Në kuadër të plotësimit të infrastrukturës institucionale dhe ngritjes së efektivitetit dhe rezultateve në mbrojtjen e mjedisit MMPH po përforcohet edhe më një Institucion mjaft të rëndësishëm dhe premtues, Agjencia e Kosovës për Mbrojtjen e Mjedisit (AKMM) e cila pritet që të plotësoj zbrazëtirat ekzistuese në ciklin e përgjithshëm të menaxhimit mjedisor.

Në mungesë të AKMM, për fat të keq ne ende nuk kishim një pasqyrë të plotë dhe të qartë të gjendjes mjedisore në Kosovë.

Tashmë, AKMM do të mbuloj tri rrafshe kryesore mjedisore: monitorimin mjedisorë, sistemin e informatave mjedisore dhe raportimin mjedisorë.

Njëra ndër shtyllat kryesore të AKMM do të jetë monitorimi mjedisorë. AKMM-ja do të përcaktoj orientimet dhe kriteret kryesore mbi monitorimin bazuar mbi standardet dhe indikatorët mjedisorë Evropian dhe Kombëtar, do të përcjell dhe do të marr informacione nga të gjithë dëmtuesit potencial në Kosovë, si nga energjetika, nga industritë, transportet, agrikultura, pylltaria etj,. Në mënyrë profesionale, dhe të bazuar në të dhëna të verifikuara do të sjell informacione edhe mbi gjendjen dhe kualitetin e ajrit, ujit, dheut, mbi gjendjen e natyrës dhe biodiversitetit, mbi relacionet e mjedisit dhe shëndetit, mbeturinat; e informacione të tjera relevante.

Shtylla të tjera me rëndësi në AKMM janë edhe Sistemi i të dhënave mjedisore dhe raportimi mjedisorë. Është shumë esenciale që të dhënat mjedisore të mblidhen, dhe të menaxhohen në mënyrë të drejtë, në mënyrë që përfundimet dhe rekomandimet që do të nxirren, të jenë një bazë e mirë për përcaktimin e politikave mjedisore të së ardhmes, dhe për ndërmarrjen e masave mbi preventiven dhe kontrollin mjedisor.

Dhënia e ndihmës profesionale në të gjitha fushat mjedisore për MMPH, por edhe për palët tjera të interesuara do të jetë një obligim i AKMM-së, ndërkaq një fushë veprimtari mjaft e rëndësishme e AKMM-së do të jetë bashkëpunimi me organizatat relevante mjedisore regjionale, Evropiane e ndërkombëtare e sidomos me EEA (Agjencia Evropiane e Mjedisit) dhe IEONET (Rrjeti ndërkombëtar i monitorimit mjedisorë)

Tashmë është më së e qartë, se asnjë Institucion, Agjenci a organizatë, qoftë qeveritare qoftë jo qeveritare, nuk mund të kryej me sukses misionin e saj, pa bashkëpunimin e ngushtë, të hapur dhe konstruktiv me Institucionet e tjera relevante. Prandaj, edhe suksesi i AKMM, do të jetë ngushtë i varur nga bashkëpunimi me Qeverinë, me komunat, me industritë, me OJQ, me institucionet të ndryshme hulumtuese e profesionale qoftë të sektorit publik, qoftë të atij privat.

Thjesht, AKMM-ja do të marr nga të gjithë ne nga pak dhe si kompensim do të ofroj informacione për të gjithë ne; rezultatet e saj do të jenë të dobishme për qeverinë, në mënyrë që të ndërtoj politika dhe të ndërmarr veprime adekuate; publiku do të mund të ketë një pasqyrë të qartë të gjendjes së mjedisit në të cilin jeton, ndërkaq organizatat të ndryshme mjedisore, hulumtuese, profesionale e inxhinierike do të kenë një bazë të fortë e cila do t'u shërbejë si pikënisje për projekte të caktuara të tyre.

 

Riza Hajdari