BALLINA BreadCrumbTrailer Eko-opinion BreadCrumbTrailer Ta ruajmë tokën është i vetmi...

Ta ruajmë tokën është i vetmi planet me Çokollat ?!

Jemi dëshmitarë të ndryshimeve klimatike gjithnjë e më te theksuara qe po ndodhin në planetin e Tokës. Shkrirja e akullnajave, rritja e thatësisë, tharja e pyjeve, uraganet, vërshimeve dhe katastrofave tjera natyrore gjithnjë e më të shpeshta, janë vetëm disa prej ndryshimeve globale klimatike që tani më janë te dukshme në çdo pjesë të botës.

Ta ruajmë tokën, është i vetmi planet me çokolatë ! Kjo thënie, vite me parë ka qenë pjesë e shumë fushatave të organizuara nëpër botë me qëllim te sensibilizimit të opinionit të gjerë për rrezikun që po i kanoset tokës nga ndryshimet klimatike.

Përveç shume përpjekjeve diplomatike dhe shkencore ne nivelin global, ish diplomati amerikan Al Gore pas suksesit te arritur me filmin dokumentarë " E vërteta e pakëndshme" që i kushtohet ndryshimeve klimatike, ka vazhduar fushatën "Earth Live" , me qëllim të njëjte për të rikujtuar serish njerëzimin për rrezikun që po i kanoset planetit tonë nga ndryshimet klimatike. Në kuadër të kësaj fushate janë mbajtur shtatë koncerte live nëpër shtatë kontinente të botës brenda një dite me datën 7/7/07 (shtatë / korrik/ 2007) . Koncertet janë ndjekur nga rreth 1 milion shikues, ndërsa përmes Radiove, Televizioneve dhe Internetit këto koncerte i kane ndjekur rreth 2 miliard njerëz. Ne koncertet e mbajtur në New York , Londër , Rio de Janeiro , Tokio, Shangai, Sidnei dhe Johanesburg, kanë marrë pjese mbi 100 artistë më të njohur te botës, ne mesin e te cilëve edhe Pharrell , Red Hot Chili Peppers , Foo Fighters , Snoop Dogg, Lenny Kravitz , Bon Jovi , Sheryl Crow , Duran Duran , John Legend, Black Eyed Peas , Akon, Enrique Iglesias , Kelly Clarkson etj.

Natyrisht që fushatat e tilla kanë një ndikim shumë të madh në sensibilizimin e opinionit për rrezikun që po i kanoset planetit tonë të vetëm Tokës.

Duke u nisur nga kjo shtrohet pyetja: A është secili nga ne i vetëdijshëm për rrezikun që aktualisht i kërcënohet planetit tonë nga pasojat e ngrohjes globale !?

Fatkeqësisht në Kosove, është vetëm një pjesë shumë e vogël e qytetareve që di për rrezikun që i kanoset planetit tonë nga pasojat e ngrohjes globale. Mungesa e fushatave konkrete dhe te njëmendta sensibilizuese në këtë drejtim, problemet ekonomike dhe politike, numri i vogël i institucioneve dhe OJQ-ve që do të merreshin me këtë problematikë janë vetëm disa prej shkaktarëve që aktualisht e kemi këtë gjendje.

Te gjendur para një situate të tillë shtrohet pyetja tjetër: A mundet secili prej nesh në mënyrë individuale të kontribuoj në uljen e këtij rreziku !?

Natyrisht se po, çdo person do të mund të japë kontributin e vet në të mirë të kësaj çështje, nëse marrim për baze thënien " Mendo globalisht , vepro lokalisht " . Shumë veprime tona lokale qe në shikim të parë nuk duken të efektshme, mund të kontribuojnë mjaft në uljen e rrezikut nga ngrohja globale dhe në përmirësimin e gjendjes së mjedisit në përgjithësi.

Kështu nëse secili nga ne zbret temperaturën në shtëpi për 1 grade C, do te zvogëloj emetimin e CO 2 për 300 kg në vit, nëse secili nga ne do të përdorte ftohësit me shenjë A + , do të zvogëlonte emetimin CO 2 për 210 kg në vit dhe nëse secili nga ne do te mbillte një dru, do të kontribuonte në uljen e sasisë së CO 2 për një ton, për periudhën sa mundet të thithë CO 2 një dru gjatë jetës se tij.

Në uljen e sasisë së lirimit të CO 2 në ajër , që është gazi kryesor me ndikim në ngrohjen globale ne si individ mund të ndërmarrim edhe shumë veprime tjera, si për shembull: duke kursyer energjinë elektrike, duke favorizuar përdorimin e transportit publik dhe duke larguar nga qarkullimi veturat e vjetruara etj.

Madje edhe sikur në asnjë ditë të vitit nuk do të mendojmë dhe veprojmë për te reduktuar ngrohjen globale, po te jepnim maksimumin në reduktimin e gazrave serrë se paku ne ditën ndërkombëtare të tokës (22 prill), ne do te jepnim një kontribut të çmuar në ruajtjen e planetit tonë.

Një pyetje tjetër nga e cila nuk mund të shmangemi assesi kur është në pyetje ngrohja globale dhe e ardhmja e planetit tokë është edhe kjo: A ka bërë mjaft shoqëria kosovare për këtë çështje !?

Nëse tentojmë të përgjigjemi në këtë pyetje atëherë patjetër duhet te kemi parasysh zhvillimet e fundit në lidhje me projektin për ndërtimin e Termocentralit Kosova C, dhe së këndejmi të analizojmë disa çështje si: A kemi bërë zgjidhjen e duhur për ti plotësuar nevojat për energji për të ardhmen dhe a janë hulumtuar sa duhet mundësitë e shfrytëzimit të energjisë alternative (energjisë solare, hidroenergjisë, energjisë se erës etj).

Nëse këtë çështje e shikojmë nga prizmi i zhvillimeve globale atëherë duket qe Kosova bënë përjashtim, përderisa në botë gjithnjë e më shumë favorizohet përdorimi i energjisë alternative, në Kosovë ndodhë e kundërta, dyfishohen kapacitet e prodhimit të energjisë nga thëngjilli dhe shfrytëzimi i paqëndrueshëm i resurseve natyrore.

Angazhime tjera përmes se cilave ne si shoqëri do të kontribuonim në reduktimin e ndryshimeve klimatike janë edhe mbrojtja e pyjeve dhe zgjerimi i sipërfaqeve të gjelbëruara (pyjet janë akumuluesit me te mëdhenj te CO 2 në tokë), pastaj përmirësimi i teknologjisë së termoelektranave, organizimi dhe mbështetja e fushatave konkrete ndërgjëgjësuese si dhe miratimi i akteve ligjore që sanksionojnë emetimin e CO 2 .

Andaj, ta ruajmë Tokën, sepse nuk kemi planet tjetër rezervë. D eri me tani Toka ka kontribuar për mirëqenien e njerëzimit, është koha e fundit qe njerëzimi të kontribuoj për te mirën e Tokës. E kemi borxh që brezave të ardhshëm të ju lemë një planet të shëndoshë , ashtu sikur e kemi trashëguar nga paraardhësit tanë.

 

Afrim Berisha