BALLINA BreadCrumbTrailer Arkivi - Lajme

Bukuritë natyrore të Bjeshkëve të Nemuna, në rangun botëror të destinacioneve turistike

15/04/2013-Rajoni i Dukagjinit, e veçanërisht qyteti i Pejës dhe bjeshkët që e rrethojnë atë, janë si pika kryesore referente për turistët botëror, që e vizitojnë Kosovën. Ky interesim vie në radhë të parë për shkak të bukurive magjepsese të Bjeshkëve të Nemuna, pjesa më e madhe e të cilave shtrihet në Komunën e Pejës.

Në saje të kësaj vlere turistike Komuna e Pejës kohë më parë ishte futur në finale si Destinacion turistik botëror me 3 shtete tjera. Në garën ku ishin edhe Singapuri, Bhutani dhe Dubai, Organizata Botërore e Turizmit, e zgjodhi fitues Pejën me projektin Majat e Ballkanit “Tourism Tomorow Award” me shtegun 192 km të gjatë, i cili përmban sinjalizimin turistik dhe rekreacionet sportive malore.

Rëndësia e kësaj fitoreje, si vendi më i preferuar turistik është se potencialet turistike të qytetit të Pejës po promovohen anë e kënd botës, gjë që tregon seriozitetin e kësaj komune për promovim te bukurive natyrore,resurseve turistike dhe trashëgimisë kulturore te këtij qyteti.

 

Në saje të kësaj gare, e cila u mbajt në Abu Dabi, Komuna e Pejës, do të ketë mundësi që edhe me tutje të promovojë vlerat e saj ekoturistike. Në shërbim të zhvillimit të mëtutjeshëm të ekoturizmit në këtë zonë do të jetë edhe fakti që Bjeshkët e Nemuna, tani më kanë statusin e Parkut Kombëtar, që do të jetë një motiv shtesë për turistët botërorë që ta vizitojnë këtë rajon. Edhe angazhimet e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, përkatësisht Agjencionit të Kosovës për Mbrojtjen e Mjedisit, me themelimin e Drejtorisë për Parkun Kombëtarë “Bjeshkët e Nemuna”, janë një përpjekje tjetër që do të ndihmojë ne promovimin e vlerave turistike dhe natyrore të këtyre bjeshkëve.

 

Prapa