BALLINA BreadCrumbTrailer Arkivi - Lajme

Vazhdon monitorimi i faunës përmes kamerave kurth

03.04.2017- Në kuadër të aktiviteteve për monitorimin e zonave të mbrojtura dhe inventarizimin e biodiversitetit, Instituti për Mbrojtjen e Natyrës, me datë 27.03.2017 realizoi në vizitë terreni në rajonin e Junikut, në kuadër të Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”.

 

Me këtë rast u bë marrja e kamerës kurth të vendosur kohë më parë në pjesën ku besohet se është zonë e mundshme e lëvizjes së një numri të madh të kafshëve të egra, me theks të veçantë e rrëqebullit (Lynx lynx) si dhe llojeve me të cilat ushqehet ky lloj i rrallë.

 

Pas kontrollimit të kamerave u konstatua se ishin fotografuar llojet e gjitarëve si: Kaprolli (Capreolus capreolus), Dhelpra (Vulpes vulpes), Ujku (Canis lupus), Ariu i murrmë (Ursus arctos), Lepuri (Lepus europaeus), Vjedulla (Meles meles) etj.

 

Nga prania e numrit të konsiderueshëm të tyre mund të konstatohej gjendja relativisht e mirë e faunës në këtë pjesë të parkut (foto).

 

Disa kamera të tilla janë vendosur tash e sa kohë në pjesë të ndryshme të Parqeve Kombëtare “Sharri” dhe “Bjeshkët e Nemuna”, me të vetmin qëllim të monitorimit të gjendjes së faunës dhe pranisë së llojeve të ndryshme të shtazëve të egra.

 

Këto kamera deri më tani kanë siguruar të dhëna të besueshme për praninë e llojeve të ndryshme të shtazëve të egra në këto zona të mbrojtura.

 
Prapa