BALLINA BreadCrumbTrailer Arkivi - Lajme

Reagim: Informacioni i RTK për cilësinë e ajrit në Prishtinë i pasaktë dhe i pabazuar!

03.01.2018- Mbrëmë në edicionin qendror të lajmeve në RTK është transmetuar kronika televizive me titull “Ndotja e ajrit në Prishtinë është alarmante!”.


Në mes tjerash në këtë kronikë thuhet që “gjatë ditëve të fundit, vlerat mesatare te ndotjes e ajrit në Prishtinë kanë kaluar mbi 300 herë shkallën e lejuar”.

 

Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës-AMMK,bënë me dije opinionin e gjerë që ky raportim është tërësisht i pabazuar në të dhënat e monitoruara dhe nuk përkon me realitetin.


Është fakt që gjatë ditëve të festave përkatësisht me datat 30.12.2017, 31.12.2017 dhe 01.01.2018 ka pasur tejkalime të vlerave të lejuara të PM10 dhe PM 2.5, në Prishtinë, çka është evidentuar dhe raportuar edhe nga AMMK (shihni raportin), por këto tejkalime kanë qenë normale për këtë sezon dhe këto ditë kur i shtohet edhe fakti i ndezjes së fishekzjarrëve, por assesi këto tejkalime nuk e arrijnë nivelin 300 herë mbi shkallën e lejuar, dhe një shkallë e tillë e ndotjes pothuajse edhe teoritikisht është e pamundur.

 

Për më tepër informacioni i dhënë nga RTK, përveç që ka qenë i pasaktë dhe i pa bazuar ka qenë edhe shumë konfuz dhe joprofesional për faktin se në informacion nuk precizohet parametri për të cilin janë regjistruar tejkalimet, vlerave mesatare që i referohen tejkalimet e as burimi që e konfirmon këtë tejkalim.

 

Një informacion i tillë ka shkaktuar paqartësi, huti dhe keqinformim të publikut të gjerë, madje është shpërndarë dhe interpretuar në formën e njëjtë edhe nga shumë portale dhe burime tjera të informimit.

 

Andaj, Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, kërkon nga të gjitha mediat elektronike dhe të shkruara që ta injorojnë këtë informacion ndërsa nga RTK kërkon që të demantojë informatën dhe të kërkoj falje për gabimin e transmetuar.

 

Me këtë rast lusim të gjitha mediat që me qëllim të raportimit real dhe profesional për cilësinë e ajrit ti referohen të dhënave dhe burimeve nga monitorimi i cilësisë së ajrit që behën nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, dhe të cilat janë publike në ueb faqen e AMMK.


Per me shume Raporti per cilesin e ajrit 29.12.2017-02.01.2018

Prapa