BALLINA BreadCrumbTrailer Arkivi - Lajme

Për herë të parë në Kosovë realizohet Censusi Ndërkombëtar i Shpendëve të Ujit

22.01.2019- Në kuadër të aktiviteteve për monitorimin dhe inventarizimin e biodiversitetit, gjatë fundjavës së kaluar (19-20.01.2019) Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës me ndihmën vullnetare të ekipës së ekspertëve nga Shoqata Ornitologjike e Shqipërisë (AOS-AlbanianOrnithological Society) ka kryer për herë të parë në Kosovë Censusin Ndërkombëtar të Shpendëve të Ujit.

 

Ky numërim që u realizua pothuajse në të gjitha vendet ku ka prezencë të baseneve ujore dhe u mbështet gjithashtu edhe nga disa dashamirës të natyrës.

 

Aktiviteti është realizuar në kuadër të IWC2019 (International Waterbird Census) që organizohet në nivel botëror, që prej 53 vitesh, nga Wetlands International.

 

Duke marrë parasysh dimrin e acartë të këtyre ditëve pjesa më e madhe e sipërfaqeve ujore të vizituara ishin plotësisht të ngrira. Liqeni i Batllavës, i Livoqit, i Përlepnicës, Ligatina e Hencit dhe ajo e Parteshit ishin tërësisht të mbuluara nga akulli. Vërmica ishte thuajse pa ujë për shkak të rënies së nivelit të ujit në Liqenin e Fierzës ndërkaq sipërfaqet ujore të mbetura në të ishin tërësisht të ngrira.

 

Të vetmet sipërfaqe, pjesërisht të ngrira, ku kishte shpendë uji ishin Liqeni i Badovcit, Liqeni i Radoniqit si dhe disa liqene të vogla përreth termocentraleve të KEK (në afërsi të Deponisë së Mbeturinave në Mirash). Këtu strehohej dhe numri më i madh i shpendëve të ujit.

 

Nga rezultatet paraprake mund të konstatohetse u vrojtuan 12 lloje të shpendëve të ujit me një numër total prej 9.178 individësh gjithsej.

Shumica e shpendëve të ujit të numëruar me këtë rast ishin rosa ku Anas platyrhynchos me 6632 individë dhe Anas crecca me 2398 individë përbënin së bashku 98,38% të numrit të të përgjithshëm të shpendëve.

 

Për më shumë shihni Raportin e plotë të hulumtimit  

 

Censusi Ndërkombëtar i  Shpendëve të Ujit

 
Prapa