BALLINA BreadCrumbTrailer Arkiva

Publikohet Atllasi i Bimeve te Kosoves

16.07.2021- Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), përmes Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Natyrëska përkrahur realizimin e botimit të Atllasit të Bimëve të Kosovës. Ky atlas është rezultat i një pune hulumtuese disa vjeçare të ekspertëve vendor të botanikës dhe paraqet një publikim shumë të rëndësishëm në këtë fushë.  

 

Në vitin 2012 ishte botuar Atllas i Bimëve të Kosovës, i cili në vete përmbante të dhëna për gjithsejtë 902 lloje bimore. Që nga ajo kohë ekipi i ekspertëve që ka marrë pjesë në hartimin e këtij atllasi, ka vazhduar hulumtimet në terren dhe tani sjellë fotografi dhe të dhëna edhe për 228 lloje tjera bimore, duke rritur kështu numrin në 1130 lloje bimore, dhe duke përfshirë 1/3 e bimëve të Kosovës, nga rreth 3.000 lloje bimore sa mendohet se janë në vendin tonë.

 

Ky dokument do të jetë i rëndësishëm për institucionet qendrore, lokale, si dhe ato akademike, sepse përmban të dhëna shkencore të rëndësishme për florën tonë. Këto të dhëna janë me vlerë të veçantë për Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës përkatësisht Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës pasi që mundësojnë plotësimin e bazës së të dhënave dhe krijimin e një inventari të detajuar për llojet bimore të Kosovës.

 

Në kuadër të llojeve të bimëve të përfshira në këtë atllas ka edhe llojet bimore endemike të Ballkanit dhe Kosovës, si dhe lloje të rralla e të rrezikuara. Andaj ky dokument dhe këto të dhëna do të jenë një bazë e mire edhe për hartimin e politikave, strategjive dhe planeve për mbrojtjen e llojeve të rralla e të rrezikuara bimore dhe habitateve të tyre. 

 

Ngritja e vetëdijes për mbrojtjen e biodiversitetit ka një rol shumë të veçantë në mbrojtjen e tyre dhe në njohjen e rëndësisë që kanë llojet bimore. Ne vlerësojmë që botimet e ngjashme si ky atllas, do të kontribuojnë në rritjen e vetëdijes së të gjitha shtresave për njohjen dhe mbrojtjen e biodiversitetit të llojeve bimore të vendit tonë.

Po ashtu ky atllas do të ju hyjë në shërbim edhe institucioneve arsimore të niveleve të ndryshme si një material dokumentues dhe praktikë, që do të lehtësojë njohjen me llojet bimore të Kosovës dhe përhapjen e tyre. 

 

Në kuadër të objektivave për mbrojtjen e natyrës dhe biodiversitetit institucionet qendrore dhe ato lokale, duhet ti japin rëndësi të veçantë kujdesit dhe mbrojtjes së trashëgimisë natyrore të Kosovës, përmes hartimit të politikave efikase për mbrojtjen e llojeve të rralla dhe të rrezikuara bimore dhe shtazore dhe konservimit të habitateve të tyre.

 

Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës, do të angazhohet po ashtu edhe në thellimin e bashkëpunimit jo vetëm me institucionet relevante kombëtare që kanë përgjegjësi në ruajtjen e biodiversitetit, por edhe me organizatat ndërkombëtare, institucionet akademik edhe kërkimore si dhe me organizatat e shoqërisë civile, me qëllim të arritjes së synimit tonë të përbashkët për mbrojtjen e llojllojshmërisë sonë biologjike dhe trashëgimisë natyrore.

 

Shkarko: Atllasi i Bimëve të Kosovës

 

Prapa