BALLINA BreadCrumbTrailer Instituti për Planifikim Hapësinor

Instituti për Planifikim Hapësinor

 

THEMELIMI

 

Instituti për planifikim hapësinor është pjesë përbërëse e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe së bashku me Departamentin e Planifikimit Hapësinor përbëjnë sektorin e planifikimit hapësinor në Qeverinë e Kosovës. Është themeluar në Tetor të vitit 2003 me akt të veçantë të nënshkruar nga ish Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Në kuadër të Institutit punojnë profesionistë të fushave të ndryshme si: arkitektë, gjeografë, sociologë, biologë, e të tjerë, mosha mesatare e të cilëve nuk është më e vjetër se 40 vjet.

 

Që nga themelimi e deri në ditët e sotme, ajo që e karakterizon Institutin është puna grupore profesionale, e cila në të shumtën e rasteve rezulton me përfundimin e punëve në kohë dhe me sukses të plotë.

 

VEPRIMTARIA

 

Veprimtaria kryesore e këtij institucioni është hartimi i Planit Hapësinor të Kosovës dhe përgatitja dhe hartimi i planeve të zonave me përmbajtje të veçantë dhe me interes për shtetin. Veprimtari tjetër e rëndësishme është ngritja e kapaciteteve humane dhe ndihma teknike profesionale e punëtorëve të nivelit komunal, në përgatitjen dhe hartimin e planeve komunale.

 

Prej vitit 2003 e deri më sot, janë prodhuar disa dokumente të rëndësishme dhe të nevojshme për sektorin e planifikimit hapësinor në veçanti dhe në përgjithësi dokumente të rëndësishme për Qeverinë e Kosovës. Të gjitha materialet dhe dokumentet e prodhuara janë të përmbledhura në formën e dokumenteve zyrtare dhe janë pjesë përbërëse e faqes sonë të internetit. Fjala është për dokumentet: Plani Hapësinor i Kosovës 2010-2020+ dhe Planet Hapësinore për zonat e veçanta.

Gjithashtu, në bashkëpunim të ngushtë me sektorët e rëndësishëm të Qeverisë së Kosovës, janë hartuar një set i tërë i raporteve sektoriale, të nevojshme për paraqitjen sa më reale të zhvillimit hapësinor sektorial. Një grup i veçantë i punëtorëve të Institutit, kanë punuar në hartimin e analizave hapësinore për komunat e Suharekës, Vushtrrisë, Dragashit, Kaçanikut, Malishevës, Kamenicës dhe Obiliqit, dokumente këto që për nga përmbajtja janë ndihmë e madhe e komunave për përfundimin e Planeve Zhvillimor Komunale.

 

Një punë e rëndësishme e Institutit, ka qenë hulumtimi që është bërë në fushën e vendbanimeve joformale. Për këtë qëllim, dhe në bazë të rezultateve të hulumtimit të zhvilluar në disa komuna, është nxjerrë udhëzuesi për trajtimin e këtyre vendbanimeve. Një pjesë e stafit ka qenë i kyçur në procesin e hartimit të Planit Zhvillimor për Komunën e Junikut, që si aktivitet është konsideruar si risi në kuadër të bashkëpunimit me organet kompetente komunale, të cilin do të tentojmë ta shtrijmë dhe ta aplikojmë edhe për komunat tjera të interesuara.

 

DOKUMENTET E APROVUARA NË KUVENDIN E KOSOVËS

 

Plani Hapësinor i Kosovës 2010-2020është dokumenti kryesor i sektorit të planifikimit hapësinor i cili është hartuar në bashkëpunim me të gjitha sektorët e rëndësishme të Qeverisë së Kosovës. Në hartimin e tij kanë marrë pjesë edhe profesionist të dalluar të fushës, institucionet e ndryshme shkencore, universiteti, organizata të ndryshme joqeveritare, përfaqësues të shoqërisë civile, zyrtarë të nivelit lokal dhe pa dyshim, shumë e rëndësishme ka qenë ndihma dhe përkrahja që është ofruar nga organizata të ndryshme ndërkombëtare.

Dokumenti i aprovuar në Qershor 2011 është versioni plotësuar, i cili për bazë kishte dokumentin e aprovuar në parim në Kuvendin e Kosovës (Janar, 2007). Një veprim i tillë ishte i domosdoshëm, për shkak të ndryshimeve të atëhershme politike të cilat sollën edhe ndryshime tjera hapësinore. Sa i përket përmbajtjes, zhvillimi i ofruar policentrik është garant i zhvillimit të barabartë të të gjitha rajoneve, komunave dhe zonave rurale në Kosovë. Me shumë kujdes janë shfrytëzuar potencialet e shumta dhe karakteristike për rajonet, që paraqesin bazë të mirë për zhvillim të qëndrueshëm të të gjithë vendit.

 

Plani Hapësinor i Zonës me Interes të Veçantë “Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-ës Kleçkë dhe Divjakë” – është dokumenti i parë hapësinor që trajton temën e luftës dhe sakrificën e popullit tonë për liri. Pa dyshim se një projekt i tillë ka qenë shumë sfidues për të gjithë ne – për Qeverinë që kanë bërë shpalljen e zonës me interes të veçantë, për Ministrinë tonë që ka qenë bartëse e procesit për hartimin e dokumentit, ashtu dhe për Institutin për Planifikim Hapësinor si hartues të dokumentit.

Hapësira për të cilën kemi hartuar planin hapësinor është e njohur padyshim për të gjithë qytetarët e Kosovës. Është e njohur për aktivitetet që janë zhvilluar gjatë luftës së fundit, për sakrificën e popullit të kësaj ane, që edhe përkundër varfërisë së tyre të madhe – kanë ofruar ndihmë dhe strehim për ushtarët e UÇK-së dhe për popullatën e shpërngulur nga trevat tjera të Kosovës. Kjo zonë ishte gjithashtu selia e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, dhe Malet e Berishës ishin vendi ku nisën rreshtimet ushtarake dhe trajnimet e para për ofensivat kundër okupatorit. U caktuan veprimet e ushtrisë më të re në botë, u organizuan paraqitjet e para publike të përfaqësuesve të ushtrisë dhe u mbajtën takime të rëndësishme me përfaqësues të lartë të komunitetit të atëhershëm ndërkombëtar. Zhvillimet e ofruara në dokument garantojnë respektimin e të drejtave dhe lirive të të gjithë qytetarëve që jetojnë në të. Gjithëpërfshirja, zhvillimi i baraspeshuar dhe i qëndrueshëm, promovimi i transparencës së plotë në planifikim, janë disa nga parimet që dëshmojnë se dokumenti është në përputhje me standardet kryesore që dalin nga ligjet e vendit dhe rregulloret evropiane.

 

Plani Hapësinor i Zonës me Interes të Veçantë Ekonomik “Fusha e Mihjes së Re” – është dokumenti kryesor hapësinor për sektorin energjetik, që siguron kornizën bazë në mbështetje të projekteve të ndryshme edhe nga sektorët tjerë qeveritar. Me këtë dokument Qeveria e Kosovës në mënyrë të qëndrueshme orienton kahen e zhvillimit hapësinor energjetik duke respektuar në maksimum mbrojtjen e mjedisit dhe shfrytëzimit racional të resurseve natyrore. Zhvillimi i ofruar ekonomik, nëpërmjet zhvillimit të sektorit energjetik, duke siguruar prodhim dhe furnizim të rregullt të energjisë elektrike, është garant edhe për zhvillim të barabartë social dhe mjedisor në të gjitha komunat pjesëmarrëse të zonës.

Duke qenë të vetëdijshëm për situatën e vështirë ekonomike dhe problemet e shumta që po ballafaqohet vendi ynë, jemi të sigurt që dokumenti i ofruar i zhvillimit të ardhshëm hapësinor të zonës, është kontribut i rëndësishëm në konsolidimin e situatës energjetike në Kosovë. Prandaj, është shumë e rëndësishme të kuptohet se për realizimin e këtij Plani, do të duhet gjithsesi ndihma e të gjithëve, në mënyrë që bashkërisht të ndikojmë në zbutjen e problemit energjetik dhe në ndërtimin e mjedisit më kualitativ jetësorë për të gjithë qytetarët e Kosovës.

 

Plani Hapësinor për Monumentin e Natyrës me Rëndësi të Veçantë “Ujëvarat  e Mirushes”është dokumenti kryesor i zhvillimit hapësinor të zonës, në të cilin me shumë kujdes janë trajtuar të gjitha çështjet që ndërlidhen me mbrojtjen, zhvillimin dhe promovimin e vlerave që ka zona në përgjithësi. Dokumenti është hartuar nga Instituti për Planifikim Hapësinor nën përkrahjen e përfaqësuesve të sektorëve të rëndësishëm të Qeverisë dhe me kontributin shumë të çmueshëm të përfaqësuesve të komunave pjesëmarrëse në zonë. Në këtë drejtim, ndihmë të konsiderueshme kanë dhënë edhe profesionistë të fushës, përfaqësues të universiteteve, grupe të ndryshme të interesit duke përfshirë edhe kontributin e qytetarëve dhe shoqërisë civile.

Me kujdes të shtuar janë bërë hulumtimet e nevojshme për gjendjen ekzistuese të zonës, si rezultat i të cilës, në bashkëpunim me të gjithë pjesëmarrësit është vendosur për vizionin, si parakusht për të përfunduar fazën më të rëndësishme të procesit – Strategjinë e zhvillimit të ardhshëm hapësinor të zonës. Zhvillimet e ofruara janë në harmoni të plotë me normat dhe standardet e lejuara dhe do të ndikojnë drejtpërdrejtë në përmirësimin e situatës aktuale mjedisore. Në mes tjerash, rëndësi e veçantë i është kushtuar zhvillimit të turizmit dhe komponentëve që ndërlidhen me këtë fushë të rëndësishme ekonomike, nga e cila padyshim do të kemi përfitim të gjithë.

 

Plani Hapësinor për Parkun Kombëtar “Sharri” – Në bashkëpunim me sektorët e rëndësishëm të Qeverisë, përmes Grupit Punues Ndërministror kemi përfunduar dokumentin që ka të bëjë me mbrojtjen dhe zhvillimin e zonës më të bukur natyrore të Kosovës, i cili përfundimisht do të ndikojë në rritjen e kontrollit të zhvillimeve dhe ndërprerjen e keqtrajtimit të vlerave të dëshmuara natyrore.

 

Planit Hapësinor për Zonën e Veçantë “Hidrocentrali Zhur” – Paralelisht me aktivitetet e lartpërmendura është punuar në përkufizimin e draftit të parë të Planit Hapësinor për, aktualisht hidrocentralin më të madh të Kosovës. Për shkak të ndikimit të tij edhe jashtë kufirit të vendit, momentalisht, procesi për përfundimin e dokumentit është stopuar, deri në krijimin e kushteve më të favorshme ekonomike dhe politike.

 

Plani Hapësinor për Zonën me Interes të Veçantë “Beteja e Koshares” – Përmbajtja e dokumentit kryesisht ndërlidhet me ruajtjen dhe promovimin e vlerave të luftës, përmes të cilave do të mbetet e freskët sakrifica dhe lufta e popullit tonë për liri. Zhvillimi i ardhshëm hapësinor i zonës së Koshares fillon dhe mbaron në pikën qendrore - varrezat e dëshmorëve, që njëherit paraqesin përmbajtjen më të rëndësishme të të gjithë zonës. Aty qëndron themeli i të gjitha zhvillimeve dhe aty gërshetohen rrugët që e lidhin vet zonën me përmbajtjet dhe zhvillimet hapësinore përreth saj. Në aspektin e zhvillimit ekonomik, Zona e Koshares me të gjitha përmbajtjet që shtrihen përreth saj, mund të shndërrohet në një atraksion turistik të qëndrueshëm, me ndikim në zhvillimin e të gjithë rajonit, duke i përfshirë edhe përmbajtjet që janë në anën tjetër të kufirit.

 

DOKUMENTET NË PROCES

 

Plani Hapësinor për Parkun Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” – Punët në këtë dokument janë në fazën përfundimtare të tij. Grupi punues i koordinuar nga IPH aktualisht kanë përfunduar punën në nxjerrjen e draftit të parë, i cili shumë shpejtë do të futet në procesin e shqyrtimit publik. Fjala është për dokumentin e zhvillimit hapësinor të një zone me vlera të larta dhe të dëshmuara të natyrës, në të cilin përpos mbrojtjes është paraparë edhe zhvillimi i qëndrueshëm, me theks të veçantë në zhvillimin e turizmit rural si njëra nga degët më atraktive të zhvillimit në përgjithësi.

 

Zhvillimi i indikatorëve për fushën e planifikimit hapësinor – Aktivitet me rëndësi thelbësore është përcaktimi dhe zhvillimi i indikatorëve kryesor për fushën e planifikimit hapësinor. Aktualisht janë përcaktuar grupet dhe zyrtarët përgjegjës për indikatorët specifik, të cilët do të merren me hulumtimin dhe prezantimin sa më objektiv të rezultateve. Në fund të këtij aktiviteti të rëndësishëm do të bëhet publike lista dhe rezultatet për indikatorët përkatës, të cilat do të shfrytëzohen si bazë për hartimin dhe vlerësimin e dokumenteve të planifikimit hapësinor në të dy nivelet e qeverisjes.

 

BASHKËPUNIMI

 

Karakteristikë e punës së deritashme të Institutit ka qenë bashkëpunimi dhe ndihma reciproke me të gjithë pjesëmarrësit në proces. Bashkëpunimi është i të gjitha niveleve, duke filluar nga organet më të larta qeveritare, ato komunale e deri te organizatat e huaja dhe vendore, profesionistë dhe individë të pavarur, me të cilët ky bashkëpunim është plotësuar edhe me diskutime të shpeshta publike.

Ndihmë e konsiderueshme në këto aktivitetet është dhënë nga ana e UN-Habitat-it përmes IHS-it – Institutit për Banim dhe Studime të Zhvillimit Urban - Holandë, e cila ndihmë më së shumti konsistoi në ngritjen kapaciteteve profesionale. Një bashkëpunim i veçantë ka qenë me projektin ALUP (Agriculture land Utilitasion Project), i cili ka ndikuar në ngritjen reciproke të kapaciteteve rreth menaxhimit dhe planifikimit rural. Në mënyrë të ngjashme kemi bashkëpunuar edhe me UNDP, SIDA, CHwB, AGRIFOR (Institucione ndërkombëtarë), me theks të veçantë në gjetjen e mundësive për ngritjen dhe zhvillimin institucional në fushën e planifikimit hapësinor.

Gjatë kësaj periudhe ndër bashkëpunimet e rëndësishme ka qenë edhe puna deri më tash joformale, me studentë të fushave të ndryshme. Kemi arritur që për një numër të konsiderueshëm të studentëve të ofrojmë hapësirë dhe informata të mjaftueshme për kryerjen e pjesës praktike të studimeve universitare.

Momentalisht njëri ndër aktivitetet e rëndësishme është bashkëpunimi me disa projekte të financuara nga Komisioni Evropian dhe donatorë tjerë, me qëllimin kryesor ngritjen e mëtejshme të kapaciteteve humane dhe teknike në IPH, nga të cilët më të rëndësishme janë:

 

Vazhdimi i përkrahjes për shfrytëzimin e tokave bujqësore (EULUP) – në kuadër të projektit MMPH përkatësisht IPH ka qenë njëri ndër përfituesit kryesor. Projekti kryesisht merrej me ngritjen e kapaciteteve humane dhe teknike të nevojshme, që do të kenë ndikim në hartimin politikave nacionale dhe implementimin e tyre, të ndërlidhura kryesisht me planifikimin hapësinor të zonave rurale, mbrojtjen e tokave bujqësore dhe mbrojtjen e mjedisit. Në kuadër të projektit janë organizuar trajnime bazike dhe të avancuara në GIS, në të cilat përpos IPH-së kanë përfituar edhe MBPZHR dhe stafi i pilot komunave.

 

Promovimi i diversitetit kulturor në Kosovë (PCDK) – në kuadër të projektit MMPH përkatësisht IPH është njëri ndër përfituesit kryesor. Qëllimi kryesor i projektit është promovimi dhe mbrojtja e trashëgimisë kulturore në Kosovë. Njëri nga synimet e përbashkëta do të jetë prezantimi sa më real i trashëgimisë kulturore në të gjithë territorin e Kosovës. Kjo po realizohet përmes vizitave të ndryshme studimore dhe organizimit të trajnimeve të nevojshme, në të cilat pjesëmarrësit duke përfshirë edhe IPH-në, po marrin përvoja nga më të ndryshmet.

 

Programi "Integrimi i trashëgimisë kulturore në planifikim hapësinor dhe urban të nivelit qendror dhe lokal në Kosovë"Përmes këtij programi të ndërmarrë në partneritet me CHwB-në, është trajtuar çështja e trashëgimisë kulturore, dhe përfshirja e saj në planet hapësinore të niveleve të ndryshme. Në mënyrë më specifike analiza dhe hulumtimi është realizuar në dokumentet përkatëse hapësinore të disa komunave tipike të Kosovës. Qëllimi kryesor i programit ka qenë që, përmes bashkëpunimit me të gjitha institucionet relevante, të definojmë hapat e nevojshëm për trajtimin dhe integrimin e drejtë të trashëgimisë kulturore në planifikimin hapësinor në Kosovë. Rezultat i këtij bashkëpunimi është hulumtimi i botuar me titull “Konservimi i integruar”, i cili në mes tjerash ofron rekomandime të qarta për përfshirjen e trashëgimisë kulturore në planifikim hapësinor për të gjithë faktorët relevant të fushës.

 

PAJISJA TEKNIKE DHE BAZA E SHËNIMEVE

 

Pajisja teknike që disponon Instituti është e nivelit të konsiderueshëm dhe me plotësimin adekuat të nevojshëm mund ti përgjigjet kërkesave të kohës. Në kuadër të Institutit vepron sektori profesional i GIS-it, në kuadër të të cilit punojnë tashmë profesionistë të përgatitur dhe të gatshëm që të krijojnë të dhëna dhe analiza të nevojshme. Realizimi i projekteve të deritashme ka ndikuar në krijimin e një baze të mirë të shënimeve, të nevojshme për paraqitjen sa më reale të zhvillimeve hapësinore në të gjithë territorin e Kosovës.

 

OBJEKTIVI

 

Objektivi kryesor i Institutit për Planifikim Hapësinor është – ngritja e institucionit në nivel në të cilin do të jetë i gatshëm, në njërën anë të ofroj shërbime për Qeverinë e Kosovës dhe në anën tjetër, nga angazhimet profesionale, të krijoj të hyra të mjaftueshme për zhvillimin e qëndrueshëm të kapaciteteve të veta.

Në bashkëpunim me faktorët relevant të fushës akademike universitare do të përpiqemi të gjejmë formën e duhur për bashkëpunim të qëndrueshëm, nga i cili do të përfitojnë më së shumti studentët, për të cilët IPH momentalisht është e vetmja adresë e mësimit të përvojave praktike në fushën e planifikimit hapësinor.

 

 

 

LuanNUSHI, drejtor

 

Instituti për Planifikim Hapësinor

Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor

 

e-mail: luan.nushi@rks-gov.net

tel: +381 (0)38 200 32552, +377 (0)44 177 623