27 February 2026
Raporti për përdorimin e qeseve plastike në Kosovë, në kuadër të gjetjeve kryesore ka specifikuar se masa për reduktimin e qeseve plastike sipas UA Nr. 07/2023, ka nxitur ndryshime të dukshme në sjelljen e konsumatorëve dhe në treg, brenda një periudhe relativisht të shkurtër zbatimi. Vendosja e tarifës prej 0.05 € për çdo qese plastike të lehtë ka ndikuar ndjeshëm në ndryshimin e sjelljes së konsumatorëve dhe ka krijuar një normë të re mjedisore në rrjetet formale të tregtisë me pakicë.
Rezultatet e vlerësimit bazuar në të dhënat e grumbulluara nga shitësit me pakicë tregojnë një ulje të ndjeshme të përdorimit të qeseve të shpërndara, ndërsa llogaritjet vlerësojnë se konsumi mesatar vjetor për vitin 2024 ishte rreth 55 qese plastike për person, që është më i ulët se mesatarja e BE-së (66.6 qese për person), apo dukshëm më I ultë se sa targeti i përcaktuar nga (UA Nr. 07/2023) për vitin 2024 që ishte 180 qese plastikës për person.
Qëllimi i këtij vlerësimi ishte të analizojë progresin e bërë që nga hyrja në fuqi e UA Nr. 07/2023, duke u fokusuar në përputhshmërinë ndërmjet kategorive të ndryshme të shitësve me pakicë, koordinimin institucional, sjelljen e konsumatorëve dhe kontributin e politikës në reduktimin e gjenerimit të mbeturinave plastike.
Vlerësimi është hartuar edhe mbi bazën e një rishikim fillestar të dokumenteve përkatëse ligjore, politike dhe monitoruese, si dhe në konsultimet paraprake me palët kryesore institucionale dhe palët tjera të interesit. Raporti ofron një plan të strukturuar për mbledhjen dhe analizimin e të dhënave, duke kombinuar prova sasiore (regjistrat institucionalë, anketat dhe të dhënat e shitësve me pakicë) me njohuri cilësore nga vizitat në terren, intervistat dhe diskutimet në grup fokusi.
Rëndësia e këtij vlerësimi konsiston edhe në faktin se do të ofrojë një analizë gjithëpërfshirëse dhe të bazuar në evidencë për të informuar vendimmarrjen e ardhshme politike, për të forcuar mekanizmat e zbatimit dhe për të mbështetur përparimin e Kosovës drejt një ekonomie qarkore dhe standardeve mjedisore të përafruara me BE-në.
Realizimi i këtij vlerësimi është mbështetur nga GIZ dhe pasqyron diskutimet e realizuara gjatë vitit 2024 ndërmjet GIZ-it, MMPHI-së, palëve të interesit dhe konsulencës së angazhuar.
Për më shumë detaje shihni Raportin Përdorimi i Qeseve të Plastikës në Kosovë 2024