936 - Lajmi Single | AMMK

Vlerësimi Preliminar i Llojeve Bimore Invazive në Kosovë

02 July 2026

foto

Ky vlerësim preliminar i llojeve bimore invazive në Kosovë është hartuar në bazë të të dhënave nga literatura shkencore, publikime relevante kombëtare dhe të dhënat nga Universiteti i Prishtinës, Departamenti i Biologjisë, si dhe hulumtimeve dhe vëzhgimeve të realizuara në terren.

Qëllimi i tij është identifikimi, dokumentimi dhe sistematizimi i llojeve bimore invazive të pranishme në territorin e Kosovës, si dhe vlerësimi i shpërndarjes, habitateve dhe ndikimit të tyre në biodiversitetin, ekosistemet natyrore dhe aktivitetet ekonomike.

Ky vlerësim synon të kontribuojë në përmirësimin e bazës së të dhënave mbi llojet invazive dhe të mbështesë planifikimin e masave për parandalimin, kontrollin dhe menaxhimin e tyre. Vlerësimi është realizuar nga Instituti për Mbrojtjen e Natyrës, në bashkëpunim me Departamentin e Biologjisë të Universitetit të Prishtinës, dhe synon të shërbejë si bazë për studime të mëtejshme shkencore, monitorim afatgjatë dhe hartimin e politikave për menaxhimin e llojeve invazive.

Llojet bimore invazive janë specie joautoktone që janë përhapur jashtë arealit të tyre natyror dhe, pas vendosjes në mjedise të reja, mund të shkaktojnë ndikime të konsiderueshme ekologjike, ekonomike dhe sociale. Në Kosovë, prania e tyre është shtuar në dekadat e fundit, si pasojë e aktiviteteve njerëzore, zhvillimit të infrastrukturës, tregtisë, transportit dhe ndryshimeve klimatike.

Rezultatet tregojnë se llojet bimore invazive janë të përhapura në një gamë të gjerë habitatesh, duke përfshirë brigjet e lumenjve, tokat bujqësore, kullotat, pyjet, zonat urbane, hapësirat e degraduara dhe korridoret rrugore e hekurudhore. Këto habitate krijojnë kushte të favorshme për përhapjen e tyre, veçanërisht në zonat ku ekosistemet janë të shqetësuara ose të degraduara.

Shumë prej këtyre llojeve kanë aftësi të lartë riprodhuese dhe përhapëse, duke konkurruar me florën vendore për hapësirë, dritë, ujë dhe lëndë ushqyese. Si rezultat, ato mund të shkaktojnë zvogëlimin e diversitetit bimor, ndryshimin e strukturës dhe funksionimit të ekosistemeve, degradimin e habitateve natyrore dhe humbjen e llojeve autoktone. Përveç ndikimeve ekologjike, disa lloje invazive mund të kenë pasoja edhe për bujqësinë, pylltarinë, shëndetin e njeriut dhe ekonominë.

Krahasuar me studimet e mëparshme, është evidentuar një rritje e njohurive mbi shpërndarjen e disa llojeve invazive në Kosovë. Megjithatë, ende ekzistojnë boshllëqe në të dhënat për përhapjen, dinamikën e popullatave dhe ndikimin ekologjik të shumë llojeve. Për këtë arsye, nevojiten monitorim i vazhdueshëm, hulumtime të mëtejshme shkencore dhe bashkëpunim ndërinstitucional për të identifikuar në kohë llojet e reja invazive dhe për të ndërmarrë masa efektive të parandalimit, kontrollit dhe menaxhimit të tyre.

Ky vlerësim përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt krijimit të një baze të qëndrueshme të të dhënave për llojet bimore invazive në Kosovë dhe kontribuon në zbatimin e politikave kombëtare për ruajtjen e biodiversitetit, mbrojtjen e habitateve natyrore dhe menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore.

Për më shumë Vlerësimi Preliminar i Llojeve Bimore Invazive në Kosovë