101 - Lajmi Single | AMMK

Komunikatë për media pas takimit organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës lidhur me raportin qëllimkeq të EULUP-it për gjendjen e tokës në Kosovë

22 February 2012

foto

22.02.2012- Kryeshefi i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë (AMMK), Dr. Sc. Ilir Morina ka ftuar  institucionet vendore, mjetet vendore të informimit si dhe që të gjithë faktorët relevant në Kosovë që t’i dalin në mbrojtje prodhimeve bujqësore vendore. Ilir Morina tha : « Sot jemi mbledhur këtu për të mbrojtur prodhimin e Kosovës, pas një manipulimi dinak dhe tinëzar që bëhet përmes hartuesve të këtij raporti. » Zotëri Morina bëri këtë ftesë gjatë një tryeze të organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) me rastin e publikimit të raportit, në fund të janarit, në emër të EULUP-it, në të cilin goditet pa asnjë argument shkencor cilësia e tokës së Kosovës.

«Ju lutem edhe mjeteve vendore të informimit që t’i dalin zot, së bashku me ne të gjithë ne këtu prodhimit vendor, prodhimit të çmuar. Patriotizëm sot është që ta mbrojmë prodhimin vendor, » tha Krye-shefi Ekzekutiv i AMMK-së, në tryezën e organizuar nga OEK. Morina tha se raporti qëllimkeq i publikuar, në mënyrën më të paskrupullt e ka dëmtuar imazhin e tokës së Kosovës, pas asnjë argumentim profesional. Ai me këtë rasti i ka ftuar mjetet vendore të informimit që të mos lejojnë që të manipulohen nga hartuesit e këtyre lloj raporteve. «Kërkoj nga mediat vendore që t’i bëjnë lexim më të përkushtuar dhe më të detajuar këtij raporti manipulator, në mënyrë që të mos dëmtohet imazhi i prodhimit vendor dhe eksporti i këtyre prodhimeve të Kosovës, » tha Z.Ilir Morina.

 

 

Kryeshefi AMMK-së, ndërkohë, i ka akuzuar hartuesit e këtij raporti (të EULUP-it) se ata nuk kanë pasur asnjë synim tjetër pos që të kenë përfitime materiale, dhe kështu kanë tentuar për të manipuluar me të vërtetën e gjendjes së tokës së Kosovës, cilësinë e saj dhe cilësinë e prodhimeve bujqësore vendore. «Raporti qëllimkeq është kërkesë e disa individëve manipulatorë për përfitime materiale. Ky raport ka shkaktuar dëme të mëdha ndaj prodhimeve të Kosovës me miliona të tërë dhe ndërkohë edhe ekonomisë së vendit tonë, » tha zotëri Morina. Ai në paraqitjen e tij ka sqaruar para prodhuesve të Kosovës dhe të pranishmëve të tjerë të shumtë, se raporti i publikuar në emër të EULUP-it, flet për vetëm 123 mostra të analizuara duke – të cilat paraqesin vetëm 6 (gjashtë) për qind të mostrave të marra nëpër Kosovë. Morina sqaroi se kjo qasje shumë e mangët është një ndër dëshmitë e shumta të tjera për mungesat e raportit dhe qëllimin e tij përfundimtar.

 

Ai tha se raporti si i këtillë dëmton qëllimshëm bujqit dhe prodhuesit e tjerë të Kosovës pa respektuar asnjë kriter profesional të standardeve vendore dhe evropiane për përpilimin e raporteve të këtilla. «Ai dëmton krejt punën e prodhuesve tanë bujqësor në mënyrë të paskrupullt dhe pa asnjë argumentim profesional », tha Zotëri Morina. «Raporti është dinak, është kërkesë për të përfituar disa individë por në fakt dhe fatkeqësisht , shkakton dëme tejet të mëdha bujqve the tërë Kosovës dhe ekonomisë së saj. » tha Kryeshefi i AMMK-së, zotëri Ilir Morina.

 

Ndërkohë zorëri Morina i ka ftuar të pranishmit - Ministrin e Kosovës për Bujqësisë Zotëri Blerand Stavileci, Kryeshefin e Agjensionit të Kosovës për Veterenari, zotëri Valdet Gjinovci, Kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Zotëri Safet Hërxhaliu, Përfaqësuesin e Ministrisë së Mjedisit të Kosovës, zotëri Gani Berisha dhe prodhuesit bujqësor të vendit të pranishëm në tryezë dhe mjetet vendore të informimit, për të vërtetuar në teren - tek vend-prodhimet bujqësore gjendjen e vërtetë të tokës bujqësore të Kosovës.  Ai po ashtu ka ftuar po të njëjtit për një turne zyrtare nëpër vendet e rajonit, importuese të prodhimeve bujqësore të Kosovës dhe ato të tjera ushqimore për të mbrojtur prodhimet e Kosovës dhe promovuar ato dhe për të vërtetuar se ky raport ishte një gabim i radhës i përfituesve të çastit.