103 - Lajmi Single | AMMK

AMMK mbështet iniciativën “Ta pastrojmë Kosovën”

05 March 2012

foto

05.03.2012- Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës ka shprehur gatishmërinë për të mbështetur iniciativën qytetare “Ta pastrojmë Kosovën”. Kjo është arritur përmes një memorandum të bashkëpunimit të nënshkruar nga AMMK dhe Organizata Joqeveritare “Liria” si përfaqësuese e kësaj iniciative.  Ky memorandum ka për qëllim të koordinimit të aktiviteteve, bashkëpunimit dhe mbështetjes në mes të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës dhe iniciativës “Ta pastrojmë Kosovën”. Memorandumi synon të promovojë dhe avancojë çështjen e mbrojtjes së mjedisit dhe thellimin e bashkëpunimit në mes të AMMK-së dhe shoqërisë civile.

 

Një nga aktivitetet e planifikuara që do të realizohet në kuadër të këtij bashkëpunimi është edhe  24 maji, dita kur do të mobilizohen të gjithë qytetarët e Kosovës, institucionet, organizatat e ndryshe, në mbështetje të iniciativës qytetare “Ta pastrojmë Kosovën”.  Iniciativa qytetare “Ta pastrojmë Kosovën” është iniciativë që ka dalë nga organizata joqeveritare “Liria”, nga Istogu, e cila ka për synim që të mobilizojë rreth 100 mijë qytetarë që në ditën e 24 majit të jenë të gatshëm për pastrimin e Kosovës nga mbeturinat.

 

Kryeshefi Ekzekutiv i AMMK-së, Ilir Morina, është shprehur i kënaqur me nënshkrimin e memorandumit të bashkëpunimit me organizatën joqeveritare “Liria-i”, pasi që ai e konsideron si shumë të nevojshme dhe vullnetmire. “Sot kam nderin e veçantë të nënshkruaj një memorandum bashkëpunimi me të cilin, ne zyrtarisht do të përkrahim edhe një iniciativë, e cila deri më tani nuk ka qenë kaq e fuqishme dhe kaq e madhe. E falënderoj Luanin dhe të gjithë kolegët e Luanit, të cilët kanë marrë një iniciativë dhe janë duke prirë ndoshta në të gjitha shtetet e Ballkanit me organizimin dhe rrjetin e krijuar. Unë kam informacion se Luani ka organizuar mbi 50 mijë vullnetarë, që ndoshta është hera e parë që të kemi aq shumë vullnetarë, sidomos të gjeneratës së re që të fillojnë pastrimin e Kosovës”, ka thënë ai. Ai ka shprehur mbështetjen e tij për këtë iniciativë dhe iniciativat e tjera me aq sa ka mundësi Ministria e Mjedisit.

 

Ndërkaq, drejtori i organizatës joqeveritare “Liria”, Luan Hasanaj, është shprehur i kënaqur me mbështetjen e Ministrisë së Mjedisit, gjegjësisht të AMMK-së. “Është nder për neve që të jemi këtu dhe bashkë me juve të nënshkruajmë një memorandum bashkëpunimi për një iniciativë kaq humane që ka të bëjë me pastrimin tonë nga mbeturinat. Gjithashtu me lejoni t’ju falënderoj në radhë të parë për qasjen e juaj personale zotëri Morina. Ishte një ndër të parët që kur mori vesh për këtë iniciativë u afrua të ekipi i ‘Ta pastrojmë Kosovën’ dhe bashkërisht dizajnuar disa plane për aktivitetet të cilat synohen që të realizohen”, ka thënë ai. Hasanaj ka thënë se kjo iniciativë është si rrjedhojë e bashkëngjitjes edhe me vendet e tjera të Evropës dhe të botës, pasi, sipas tij, në vitin 2012 janë mbi 100 shtete që e organizojnë një aktivitet të tillë. “Iniciativa është iniciativë globale, do të thotë, në vitin 2012 janë mbi 100 shtete të cilat do të organizojnë ditën e pastrimit të tyre. Gjithashtu, është rasti i parë që në Kosovë, por edhe në shtetet e tjera përreth bëhen bashkë shoqëria civile, institucionet, shkollat, studentët, mediat për një kauzë të përbashkët. Po i them kauzë sepse vërtet e kemi gjendjen të cilën e kemi në mjedis dhe nevojitet kontributi i të gjithëve”, ka thënë ai. Ai ka shtuar se kjo është një iniciativë, e cila patjetër se e ka edhe anën e saj politike, pasi përmes këtij aksioni, Kosova pritet t’i bashkohet Evropës dhe botës.

 

Sipas organizatorëve të kësaj iniciative, në këtë aksion pritet të marrin pjesë edhe Ministri të ndryshme të vendit, përfshirë edhe Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës (MFSK), e cila do të asistojë me mjete logjistike për bartjen e mbeturinave. Gjithashtu, organizatorët thonë se shumë shpejtë do ta punojnë planin se ku do të intervenohet urgjentisht për heqjen e mbeturinave.