104 - Lajmi Single | AMMK

Investitorët e huaj duhet të respektojnë ligjet për mbrojtjen e mjedisit në Kosovë

09 March 2012

foto

09.03.2012- Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), Dr. Sci Ilir Morina ka kërkuar që investitorët aktual në vendin tonë dhe ata të ardhshëm t’iu nënshtrohen ligjeve të miratuara për ruajtjen e mjedisit.
 
“Të gjithë investitorët detyrohen që të respektojnë në përpikëri ligjet për ruajtjen mjedisit”, tha Kryeshefi Ekzekutiv i AMMK-së gjatë një prezantimi i cili kishte në fokus gjendjes aktuale të mjedisit në Kosovë dhe legjislacionin në fushën e mjedisit. Prezantimi ishte pjesë e një seminari të organizuar nga Universiteti Amerikan në Kosovë (AUK).

 

Me këtë rast z. Morina tha para të pranishmëve se Kosova ka nevojë për investitor të huaj në sektorë të ndryshëm për rimëkëmbjen e ekonomisë së vendit, mirëpo ndërkohë tërhoqi vërejtjen se investimet e deritashme dhe ato që priten që të bëhen në sektorin e industrisë së rëndë në të ardhmen – në nxjerrjen dhe përpunimin e pasurive natyrore të Kosovës, xeheve dhe metaleve të ndryshme, duhet që të zbatojnë ligjet vendore dhe direktivat evropiane dhe të kenë në planet dhe programet e tyre edhe mbrojtjen e mjedisit.

 

 

“Fitimet që Kosova do të mund të ketë nga këto investime në sektorë të ndryshëm ndoshta mund të jenë në vlerë prej qindra milionësh, por nëse nuk respektohet infrastruktura ligjore mjedisore në fuqi e cila është e harmonizuar në masë të kënaqshme me direktivat e Bashkimit Evropian, do të shkaktohen dëme në vlerë të pariparueshme dhe me vlera miliardësh në mjedisin e Kosovës,”  vlerësoi ndër të tjera Kryeshefi i AMMK-së Dr. Sci. Ilir Morina.

 

 

Në seminarin e organizuar nga AUK-u, me temën “Zhvillimi i sektorit minerar në Kosovë”  ishin të pranishëm me prezantimet e tyre edhe përfaqësues tjerë nga institucionet e Kosovës; ekspertë,  përfaqësues nga USAID, përfaqësues të Trepçës si dhe përfaqësues të ndërmarrjes së çimentos Sharrcem dhe asaj kanadeze Avrupa Mineral.