105 - Lajmi Single | AMMK

Kosova duhet të ndërmerre masa për zvogëlimin gazrave serë dhe zbutjen e ndryshimeve klimatike

12 March 2012

foto

12.03.2012- Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë (AMMK), Dr. Sci Ilir Morina ka kërkuar ndërmarrjen e masave të shpejta për mbrojtjen e mjedisit në raport me ndryshimet klimatike. Gjatë një referimi në konferencën “Siguria e energjisë në kohët e ndryshimeve klimatike - situata në Kosovë dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor”, të organizuar nga fondacioni gjerman Konrad Adanauer Stiftung dhe Shoqata për Energji të Ripërtërishme e Kosovës, Dr. Sci Ilir Morina tha se në vendin tonë kërkohet nga të gjithë aktorët  institucional, ndërmarrjet publike dhe ato nga sektori privat që të kontribuojnë bashkërisht për ruajtjen e mjedisit dhe me theks të veçantë në zvogëlimin e gazrave serë.

 

Në kuadër referimit të tij me titull  “Pozita aktuale e Kosovës përballë ndryshimeve klimatike” ai ka kërkuar ndërmarrjen e disa masa të shpejta të cilat do të ndikonin drejtpërdrejt në uljen e nivelit të ndotjes së ajrit në vendin tone dhe zvogëlimin e emisioneve të gazrave serë. “Duhet që të bëhet evitimi i kësaj gjendje duke rinovuar dhe më vonë asgjësuar Termocentralin A,  të mirëmbahet dhe ngritët efiçienca në Termocentralin B,  të ngritët niveli i zbatimit të akteve ligjore dhe nënligjore që fusin nën kontroll lirimin e gazrave nga automjetet e lehta dhe të rënda, të ngritën sistemet  vet monitoruese të cilësisë së ajrit, të parandalohet  djegia pa kontroll e mbeturinave si ajo e gomave, plastikës dhe mbeturinave të llojeve të ndryshme, vajrave motorike…etj,  tha Kryeshefi Ekzekutiv i AMMK-së.

 

Ai po ashtu tha se duhet që të implementohet parimi “Ndotësi Paguan” ( Ekofondi) dhe “Fondi i ambalazheve”  i cili fatkeqësisht edhe pas pesë viteve nuk është miratuar ende në vendin tonë. Dr. Sci. Ilir Morina në kuadër të këtyre masave të shpejta që duhet ndërmarrë në Kosovë për zbutjen e ndryshimeve klimatike ka potencuar edhe nevojën e shfrytëzimit sa më të madh të burimeve të rinovueshme të energjisë, si dhe shfrytëzimin e lëndës së parë - sekondare posaçërisht  mbeturinat organike. Dr. Morina ndërkohë ka kërkuar edhe masa nga institucionet vendore për ngritjen e kapaciteteve për burimet e pastra të energjisë si dhe ndërmarrjen e masave për vetëdijesimin e qytetarëve të Kosovës të cilat do të ndikonin në përmirësimin e sjelljes së konsumatorit vendor ndaj energjisë.