107 - Lajmi Single | AMMK

Zbatimi i legjislacionit mjedisor instrumenti me efikas për mbrojtjen e mjedisit

22 March 2012

foto

22.03.2012- Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) Dr. Sci. Ilir Morina ka ftuar donatorët ndërkombëtar për të ndihmuar institucionet e vendit për zbatimin e ligjeve në fuqi për ruajtjen e mjedisit. Në një prezantim të gjendjes së mjedisit në Kosovë gjatë një takimi vjetor të organizuar sot në Prishtinë nga Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Kryeshefi Ekzekutiv i AMMK-së tha se në vendin tonë është bërë përparim i dukshëm në ngritjen e infrastrukturës ligjore për ruajtjen e mjedisit, në përputhje me direktivat e Bashkimit Evropian, dhe ka theksuar nevojën e ndihmës së bashkësisë ndërkombëtare për zbatim më të mirë të legjislacionit në fuqi.

“Legjislacioni mjedisor në Kosovë është pothuajse i kompletuar dhe i bazuar në direktivat evropiane, konventat dhe marrëveshjet ndërkombëtare. Por, tash kemi vështirësi në zbatimin e legjislacionit”,  u tha pjesëmarrësve të takimit Dr. Sci. Ilir Morina.

 

Kryeshefi i AMMK-së, për këtë qëllim i ka ftuar donatorët ndërkombëtar prezent në Kosovë që të ndihmojnë edhe praktikisht institucionet vendore në zbatimin e ligjeve të miratuara për ruajtjen e mjedisit nga dëmtuesit dhe ndotësit e ndryshëm. “Zbatimi i suksesshëm i legjislacionit kërkon edhe përkrahje financiare me qëllim të aftësimit praktik të strukturave vendore në nivel qendror dhe komunal të ngarkuara për zbatimin e ligjeve aktuale në fuqi për ruajtjen e mjedisit në Kosovë “, tha Dr. Sci. Ilir Morina.
Kryeshefi i AMMK-së gjatë prezantimit të tij ka theksuar se mjedisi në Kosovë aktualisht po përballet me probleme të mëdha dhe të rënda si pasojë e aktiviteteve të faktorit njeri. Dr. Sci. Ilir Morina ka theksuar se veprimet dëmtuese dhe shkatërruese të mjedisit duhet që të trajtohen nga organet vendore të drejtësisë si krime të rënda mjedisore.

 

Ai me këtë rast i ka ritheksuar ndotjet që po bëjnë ndaj mjedisit termocentralet në Obiliç, Trepça, Ferronikeli dhe çimentorja në Han të Elezit.  Kryeshefi Ekzekutiv i AMMK-së po ashtu potencoi edhe në dukuritë e tjera që po ndikojnë në dëmtimin e mjedisit në Kosovë, duke përfshirë këtu edhe prerjen ilegale të pyjeve; dëmtimin e shtretërve të lumenjve;  vrasjen e kafshëve dhe shpezëve të egra dhe të rralla në natyrë; keqpërdorimin e ujit të pijes dhe ujërave në përgjithësi si dhe problemet me mbeturina të ndryshme dhe ndotjen e ajrit nga gazrat e veturave.

 

Dr. Sci. Ilir Morina në fund të prezantimit ka renditur një seri masash që janë duke u ndërmarrë nga organet kompetence vendore për të përmirësuar gjendjen e mjedisit në vendin tonë dhe ka ftuar të pranishmit, aktorët vendor dhe ndërkombëtar për një koordinim më të mirë në zbatimin e ligjeve në fuqi me qëllim të ruajtjes së mjedisit.Takimi i sotëm ishte vazhdimësi e takimeve té rregullta vjetore lidhur me krimet mjedisore, të cilat kanë filluar që në tetor të vitit të kaluar në Kosovë nën organizimin e OSBE-së dhe Interpolit.
Në kuadër të takimeve të këtilla, Kryeshefi Ekzekutiv i AMMK-së, Dr. Sci. Ilir Morina është ftuar edhe në takimin e nivelit ndërkombëtar i cili organizohet nga Interpoli e që do të mbahet këtë muaj  në Lion të Francës.