110 - Lajmi Single | AMMK

Kryeshefi i AMMK-së merr pjesë në takimin vjetor të rrjetit të shefave të Agjencive të Mjedisit të Evropës

03 April 2012

foto

03.04.2012- Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë (AMMK), Dr. Sc Ilir Morina po merr pjesë në takimin vjetor të Rrjetit te shefave te Agjencioneve Evropiane të Mjedisit, i cili po mbahet në Londër. Kryeshefi Ekzekutiv i AMMK-s, po e përfaqëson Kosovën për herë të parë në një takim të këtij lloji i cili po mbahet në nivelin e udhëheqësve të agjencioneve simotra të Evropës. Dr. Sci. Ilir Morina me këtë rast tha “Është kjo hera e parë që Kosova po përfaqësohet në rrjetin e EPA Network, gjë që shënon edhe një të arritur të vendit tonë në këtë sektor të rëndësishëm për integrimet evropiane. Pjesëmarrja në këtë rrjet do të mundësojë shkëmbimin e përvojave, raporteve dhe informative me të gjitha Agjencionet anëtare të këtij rrjeti, me qëllim të koordinimit të përbashkët të aktiviteteve për reformat në mjedis në përputhje me legjislacionin aktual dhe direktivat e Bashkimit Evropian si dhe përmirësimin e mëtejmë të tyre, tha Kryeshefi Ekzekutiv i AMMK-së.

 

Në takimin e Londrës, pjesëmarrësit kanë biseduar në veçanti për ndikimin e zhurmës; burimet; adaptimin e ndryshimeve klimatike; bashkëpunimin ndërkombëtar dhe ekonominë e gjelbër. Në kuadër të kësaj janë shqyrtuar përvojat e agjensioneve evropiane në ruajtjen e ambientit dhe masat që duhet ndërmarrë në kuadër të përmirësimeve që duhet bërë në ekonominë e gjelbër e cila është në rritje e sipër. Në takim janë prezantuar edhe plani i veprimit për biodiversitetin, shërbimet e ekosistemit e aspekte të tjera të rëndësishme për ruajtjen e mjedisit. Janë bërë po ashtu edhe përgatitje për Konferencën e Ndërkombëtare të Ambientit ( RIO +20) e cila do të mbahet në muajin qershor në Brazil. Ndërkohë pjesmarrësit kanë shprehur shqetësimet e tyre për gazrat e fluorit të cilat lirohen nga aparatet e klimës nëpër shtëpi dhe zyre, e të cilat sipas të dhënave më të reja janë duke u rritur me shpejtësi të  madhe dhe kanë kërkuar zbatimin e Planit Aksional të Evropës i cili parasheh zvogëlimin e gazrave serre përfshirë edhe të këtyre gazrave.

 

 

Dr. Sc. Ilir Morina, ndërkohë ka pasur takime të veçanta me udhëheqësit e agjencioneve të mjedisit të Republikës Ceke- Jiri Hradec, të Austrisë-George Rebernig, Estonisë- Leo Saare, Zvicrës- Gerard Poffet dhe disa vendeve të tjera pjesëmarrëse. Në këto takime janë bërë zotime për bashkëpunim të ndërsjellë midis AMMK-së dhe agjencioneve të vendeve në fjalë, ndërsa Dr. Sci. Ilir Morina është ftuar nga homologét e tij edhe që të vizitojë agjencionet e këtyre vendeve për të filluar bashkëpunimin konkret.