112 - Lajmi Single | AMMK

Zogjtë shtegtarë dhe njerëzit – së bashku nëpër kohë

14 May 2012

foto

14.05.2012- Me moton “Zogjtë shtegtarë dhe njerëzit – së bashku nëpër kohë”, Agjencia e Kosovës për Mbrojtjen e Mjedisit në bashkëpunim me Shoqatën për Mbrojtjen e Zogjve “FINCH”, kanë shënuar , Ditën Botërore të Zogjve Shtegtarë.

Aktivitetet me rastin e kësaj ngjarjeje kanë filluar  me datën 13 Maj ku OJQ “FINCH” me seli në Prizren ka organizuar dalje në natyrë/ vrojtim të zogjve në Liqenin e Breznes në Komunën e Dragashit.

Manifestimi kryesore është organizuar sot Sallën e Konferencave, në Ndërtesën e Re të Qeverisë së Kosovës (ish pallati i mediave Rilindja) me ç`rast është bërë edhe promovimi i librit “Në kërkim të zogjve” të autorëve Nexhmedin Ramadani dhe Ismet Lecaj.

 

Me moton  “Zogjtë shtegtarë dhe njerëzit – së bashku nëpër kohë”, përfaqësuesit e institucioneve mjedisore qeveritare dhe joqeveritare kanë dhënë mesazhe me qëllim të sensibilizimit të opinionin të gjerë për lidhjen e domosdoshme midis zogjve dhe njerëzve.

Kryeshefi i AMMK-së, Dr.sec Ilir Morina me këtë rast ka thënë se Zogjtë janë tregues të rëndësishëm të cilësisë së mjedisit të një vendi prandaj informacionet dhe njohurit për përhapjen e tyre janë të nevojshme për të gjithë.  Po ashtu mbrojtja e natyrës dhe e biodiversitetit është e lidhur ngushtë me ruajtjen e zogjve.  Direktiva e Zogjve është një nga shtyllat kryesore të legjislacionit të Bashkimit Evropian për biodiversitetin andaj për të zbatuar atë në mënyrë efektive ne kemi nevojë për informacione të besueshme shkencore.

 

Ndërsa autorët e librit Nexhmedin Ramadani dhe Ismet Lecaj, kanë vlerësuar se ky botim përveç  faktit që i ofron informata për shumicën e zogjve të egër të Kosovës, ofron edhe fotografi origjinale të zogjve të fotografuar në mjediset e tyre nga vetë autori. Të gjitha këto, gërshetohen mjeshtërisht edhe me poezi që i kushtohen këtyre zogjve gjë që e bënë librin të pëlqyer dhe të lehtë për tu kuptuar jo vetëm nga të rriturit por edhe nga fëmijët.  Edhe pjesëmarrësit tjerë në këtë promovim e kanë vlerësuar lartë këtë publikim duke e cilësuar si të rrallë dhe të veçantë.

 

Dita Botërore e Zogjve Shtegtarë shënohet në mbarë botën me qëllim të senzibilizimit të opinionit të gjerë për rëndësinë e zogjëve. Mesazhi që ketë vit përcjell shënimi i kësaj ngjarje në mbarë boton synon të tregoj se kur dikush fillon me të vërtetë të mendojë për lidhjet kulturore, sociale, historike, ekonomike dhe shpirtërore që ne kemi me boten e zogjve, bëhet e qartë se zogjtë dhe njerëzit kanë krijuar lidhje të pashkëputshme në shumë mënyra të ndryshme dhe në nivele të ndryshme.

 

 

Shkarko publikimin "Në kërkim te zogjve"