119 - Lajmi Single | AMMK

Aksion gjithëkombëtarë pastrimi me moton “Ta pastrojmë Kosovën”

24 May 2012

foto

24.05.2012- Sot në tërë Kosovën u realizuan aksione pastrimi me moton “Ta pastrojmë Kosovën”. Edhe në Prishtinë rreth  orës 09.30, përfaqësues të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë dhe përfaqësues të iniciativës “Ta pastrojmë Kosovën” dhe të Komunës së Prishtinës, shënuan  simbolikisht fillimin e aksionit në lagjet Dardania dhe Lakrishte, me mbjelljen e fidaneve dhe me shpërndarjen e dorëzave, thasëve të mbeturinave dhe mjeteve tjera për pastrim.

 

Me rastin e fillimit të aksionit për pastrimin e Kosovës, në Lagjen “Dardania” të kryeqytetit, afër shkollës “Xhemajl Mustafa” ishin të pranishëm edhe Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi, dhe kreu i Prishtinës, Isa Mustafa.

 

Po ashtu përveç Ministrit të MMPH-së, Dardan Gashi, zv. Ministrit Ilir Mirena dhe kryeshefit të AMMK-së, Ilir Morina, në aksion ishin të pranishëm edhe zv.kryesministri i Kosovës, Bujar Bukoshi dhe Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci.

 

Përveç vullnetarëve të “Let’s do it” dhe punonjësve të MMPH-së, iniciativës iu përgjigjen edhe shumë qytetarë të Prishtinës. Aksioni  për pastrim përveç në lagjet Dradania dhe Lakrishte, vazhdoi edhe në lagjet tjera të Prishtinës. Po ashtu sipas njoftimeve nga organizata “Ta pastrojmë Kosovën”, aksionit iu janë përgjigjur edhe 37 komunat e Kosovës me organizimin e aksioneve të pastrimit nëpër qytete, lagje e fshatra. Edhe shumë organizata tjera, shkolla dhe institucione kanë organizuar aksione pastrimi anë e kënd Kosovës.  Të gjitha pajisjet për mbledhjen e mbeturinave janë siguruar falas nga iniciativa “Ta pastrojmë Kosovën” dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

 

Aksioni “Ta pastrojmë Kosovën”, ka për qëllim të inkurajojë mobilizimin e të gjithë qytetarëve, organizatave dhe kompanive të ndryshme për pastrimin e mbeturinave në vendin tonë. Aksione të ngjashme me moton “Let’s do it”, janë organizuar edhe në shumë vende të botës.  Kampanja “Let’s do it” ka filluar në vitin 2008 në Estoni dhe me shpejtësi të madhe është shpërndarë në më shumë se 90 vende të botë.