120 - Lajmi Single | AMMK

5 Qershori – Dita Botërore e Mjedisit, shënohet me aktivitete të ndryshme

06 June 2012

foto

06.06.2012- Me aktivitete të ndryshme është shënuar 5 Qershori - Dita Botërore e Mjedisit. Një ndër aktivitetet e zhvilluara me këtë rast ka qenë edhe shpallja e shkollës me mjedisin më të pastër e cila është bërë në kuadër të projektin “Mjedis i gjelbër dhe i pastër në shkolla” nën organizimin e Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë.  Nga 13 shkollat e propozuara nga Drejtoritë Komunale për Arsim, komisioni ka përzgjedhur tri shkollat më mjedisin më të pastër. Sipas komisionit  shkolla fillore “Liria” në Milloshevë, Komuna e Obiliqit, është shpallur shkolla më mjedisin më të e pastër në Kosovë dhe ka fituar shpërblimin në vlerën prej 2000 EUR.  Në vendin e dytë është vlerësuar shkolla “Martin Camaj” në fshatin Gurakoc, Komuna e Istogut  dhe ka fituar shpërblimin në vlerë prej 1000 EUR kurse  shkolla “Kajtaz Ramadani” në fshatin  Kijevë, Komuna e Malishevës, ka zënë vendin e tretë dhe është shpërblyer me  600 EUR. Ndër aktivitetet tjera të organizuara me rastin e kësaj dite ka qenë edhe shpërndarja e qeseve të tekstilit me moton “Thuaj Jo qeseve të plastikës”.

 

Aktiviteteve për shënimin Ditës Botërore të Mjedisit do të vazhdojnë edhe sot. Me rastin e kësaj dite dhe në përvjetorin e shënimit të 6 vjetorit të themelimit të saj, Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të  Kosovës, organizon konferencë për media, ku do të prezantohen të arriturat dhe sukseset e AMMK-së në kuadër të dy projekteve: “Pjesëmarrja e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës në aktivitet e Agjencisë Evropiane të Mjedisit” dhe “Kompletimi i sistemit për monitorimin e cilësisë së ajrit në Kosovë”.

 

Shënimi i Ditës Botërore të Mjedisit me 5 Qershor është caktuar 30 vjet më parë nga Asambleja e përgjithshme e OKB-së, me qëllim për të shtuar vetëdijen rreth çështjeve të mjedisit dhe për të tërhequr vëmendjen politike ndaj këtyre çështjeve si dhe për të nxitur veprimin individual në këtë drejtim. 5 Qershori u caktua si Dita Botërore e Mjedisit në vitin 1972, nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-s. U zgjodh kjo datë sepse përkon me ditën e hapjes e Konferencës së Kombeve të Bashkuara mbi Mjedisin, që u mbajt në vitin 1972 në Stokholm, nën udhëheqjen e Programit Mjedisor të Kombeve të Bashkuara. Qëllimi i kësaj ngjarje është të nxisë aktivitete dhe aksione për të arritur ndryshime pozitive në mbrojtjen e mjedisit. Kjo dite zakonisht përcillet me një tematikë të caktuar. Sivjet motoja e shënimit të kësaj dite është “Ekonomia e gjelbër- A jeni edhe ju pjesë e saj”? Në të kaluarën tema të kësaj ngjarje kanë qenë kujdesi për tokën dhe ujin, mbrojtja e shtresës së ozonit, ndryshimet klimatike dhe zhvillimi i qëndrueshëm.