133 - Lajmi Single | AMMK

Emetimi i gazeve serrë në Kosovë 2008 – 2009

17 October 2012

foto

17.10.2012- Programi për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, përmes një broshure ka publikuar rezultatet e përmbledhura të projektit “Transferimi i përvojës çeke: Hartimi i Sistemit për Menaxhimin e Regjistrit të Gazit Serrë (GHG) në Kosovë”. Rezultatet e studimit të inicuar nga UNDP në Kosovë dhe Qendra Rajonale e UNDP-së në Bratisllavë përmban të dhënat e Regjistrit të GHG për vitet 2008-2009. Projekti është udhëhequr nga grupi i ekspertëve çekë që e përbëjnë Sistemin aktual të Çekisë për Regjistër Nacional (NIS) nga Qendra për Mjedis e Universitetit Çarls.  Synimet kryesore të projektit ishin të trajnohen ekspertët e vendit për mënyrën e zbatimit të metodologjive të Regjistrit GHG në kushte nacionale, vlerësimi i emetimeve GHG nga të gjitha sektorët, sipas metodologjisë IPCC 2006 (Paneli Ndërqeveritar për Ndryshime Klimatike) dhe prezantimi i këtyre rezultateve. Rezultatet e Regjistrit GHG u zhvilluan në bashkëpunim të ngushtë me ekspertët e Ministrisë për Mjedis dhe Planifikim Hapësinor dhe të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës.

 

Sipas të dhënave të prezantuara në këtë broshurë, emetimet e përgjithshme të të gjitha gazrave serrë në vitin 2008 arritën 9.5 Mt CO2 eq. Ato u shtuan në 10.5 Mt CO2 eq. në vitin 2009. Kjo rritje relativisht e madhe u shkaktua pothuajse vetëm nga djegia e shtuar e lëndëve djegëse fosile. Dyoksid karboni përbën rreth 80 % të të gjitha emetimeve, ndërsa metani dhe oksidi i azotit  janë rreth 10 %. Të ashtuquajturat gaze të reja serrë, siç janë HFC-të (hidrofluorokarbon) dhe PFC-të (perfluorokarbon), janë pothuajse të papërfillshme. Sektori më i rëndësishëm për regjistrin e plotë është sektori “1A aktivitetet e djegies të lëndëve djegëse” të cilat përbëjnë rreth 80% të të gjitha emetimeve antropogjenë në Kosovë. Kategoria më e rëndësishme e burimeve për Kosovën është djegia e lëndëve të ngurta djegëse. Vlerësohet se Kosova, në krahasim me vendet e tjera në Evropë, akoma ka emetim relativisht të ulët për kokë banori. Kjo ndodh kryesisht për shkak të kushteve të favorshme gjeografike dhe për shkak të mungesës së industrive me energji intensive, bujqësisë intensive dhe mungesës së menaxhimit të mbeturinave.

Edhe pse Kosova nuk është pjesë e UNFCCC-së (Konventa Kornizë e Kombeve të Bashkuara për Ndryshimet Klimatike) apo Protokolit të Kiotos, Qeveria e Kosovës, ngjashëm me BE-në, konsideron ndryshimin e klimës si fushë prioritare dhe është përkushtuar në dhënien e kontributit të vet për zgjidhjen e kësaj sfide globale. Regjistrit GHG në Kosovë vjen në kohë të duhur dhe do të mbështesë synimet e Kosovës në agjendën ndërkombëtare të ndryshimeve klimatike. Përndryshe sipas Raportit 2007/2008 të UNDP-së për Zhvillimin Njerëzor vlerësohet se stabilizimi i koncentrimit të gazeve serrë (GHG) në atmosferë, në një nivel që parandalon ndikimin nga ndryshimet klimatike, kërkon 50% zvogëlim të emetimit të GHG deri në vitin 2050, për të ardhur në nivelin e viteve 1990. Kjo është relevante sidomos për rajonin e Ballkanit Perëndimor, i cili ka disa nga ekonomitë më intensive me karbon, dhe ku ndryshimi i klimës tanimë ka ndikim të theksuar në zhvillim.

Baza e te dhënave për regjistrin e gazrave të serrës (GHG) në të ardhmen do të menaxhohet nga Agjensioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) dhe do të përdoret për t’u raportuar në institucionet nacionale dhe ato ndërkombëtare.

 

Per me shume shkarko raportin