134 - Lajmi Single | AMMK

Përmbyllet projektit i Binjakëzimit i BE-së, “Mbështetje për Sektorin e Mjedisit në Kosovë”

26 September 2012

foto

26.09.2012- Sot në ambientet e Hotel Emerald në Prishtinë, është mbajtur takimi përmbyllës i Projektit të Binjakëzimit të BE-së, “Mbështetje për Sektorin e Mjedisit në Kosovë”.

 

Në takim ku morën pjesë edhe Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Melvin Asin, Ambasadori austriak në Kosovë Johann Brieger, ambasadorja finlandeze znj. Anne Meskane dhe zv. Ministri i MMPH-së, Ilir Mirena, u tha se projekti i binjakëzimit , “Mbështetje për Sektorin e Mjedisit në Kosovë”,   po përmbyll aktivitetet e tij duke renditur një varg të arriturash dhe suksesesh konkrete. Nga të arriturat dhe rezultatet e projektit u veçuan sidomos ato për përmirësimin dhe zgjerimin e sistemit të monitorimit mjedisor, ngritjen e bazës së të dhënave mjedisore, përgatitjen e të dhënave të besueshme për raportim si dhe në ngritjen e kapaciteteve institucionale.  Zv. Ministri I MMPH-së, Ilir Mirena theksoi ndër të tjera se sukseset  e këtij projekti janë të rëndësishme sidomos në plotësimin e kritereve dhe standardeve mjedisore në përmbushjen e obligimeve në procesin e integrimeve evropiane për Kosovën.

 

 

Kryeshefi i AMMK-së, Dr.SC. Ilir Morina, foli me theks të veçantë për suksesin dhe të  arriturat në Raportimin dhe bashkëpunimit me Agjencinë Evropiane të Mjedisit, ndërsa Arnulf Schönbauer, Lider Projekti i Shtetit Anëtar nag Agjencia e Mjedisit të Austri bëri të ditur se projekti ka arritur objektivat dhe synimet në të gjitha komponentët e tij dhe se në disa raste janë tejkaluar pritjet dhe të arriturat.

 

 

Të pranishëm në takim ishin edhe përfaqësues nga organizatat implementuese, Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, Departamentet e MMPH-së, si dhe Agjencia e Mjedisit e Austrisë, Instituti Meteorologjik Finlandez si dhe Qendra e Mjedisit, Gjeologjisë dhe Meteorologjisë, Letoni

 

Projekti i Binjakëzimit i BE, i menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, është një bashkëpunim i realizuar midis Shtetit të Kosovës dhe Shteteve Anëtare të Bashkimit Evropian Austrisë, Finlandës dhe Letonisë me synim të përgjithshëm për të fuqizuar sektorin e mjedisit në Kosovë.

 

 

Projekti ka filluar së implementuari në fund të vitit 2010, ka zgjatur 22 muaj dhe kostoja e tij ka qenë 1,1 milion euro. Projekti i binjakëzimit i BE-së, “Mbështetje për Sektorin e Mjedisit në Kosovë”, ka qenë projekti i parë i Binjakëzimit në fushën e mbrojtjes së mjedisit i implementuar në Kosovë. AMMK, shpreson që të sigurojë mbështetje nga fondet e Bashkimit Evropian për të vazhduar edhe më tutje në zgjidhjen e disa çështjeve mjedisore të identifikuara gjatë këtij projekti.