135 - Lajmi Single | AMMK

Kosova përfshihet për herë të parë në raportin mbi rrjedhën e të dhënave prioritare të Agjencionit Evropian të Mjedisit

17 October 2012

foto

17.10.2012- Agjencioni Evropian i Mjedisit ka publikuar raportin mbi rrjedhën e të dhënave prioritare në Rrjetin Evropian të Vëzhgimit dhe Informimit Mjedisor për periudhën Maj 2011-Prill 2012. E veçantë e këtij publikimi është se për herë të parë në historinë e Agjencionit Evropian të Mjedisit është bërë vlerësimi edhe për rrjedhën e të dhënave prioritare për Kosovën. Vlerësimi i rrjedhës së të dhënave është bërë për 13 tema prioritare nga të cilat 5 nuk kanë qenë relevante për Kosovën.  Të dhënat e raportuara nga Kosova përmes Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, janë vlerësuar me pikë maksimale në temat:  Zonat e Mbrojtura të Natyrës dhe Kualiteti i ujërave të lumenjve, ndërsa kanë marrë vlerësim të mirë edhe për kualitetin e ujërave nëntokësore, emisionet në ajër dhe për Ozonin. Në ranglistën e përgjithshme të vendeve e cila përfshinë të gjitha vendet anëtare të Bashkimit Evropian dhe vendet bashkëpunëtore (Kroacia, Serbia, Shqipëria, Mali i zi, Kosova, Bosnje Hercegovina dhe Maqedonia), Kosova renditet më lartë se Malta, Shqipëria, Bosnje Hercegovina dhe Mali i zi.

 

Ky është Raporti i 15-të me radhë në këtë temë dhe qëllimi i tij është të vlerësojë progresin e arritur në rrjedhën e të dhënave, të identifikojë problemet që kanë vendet me rrjedhën e të dhënave si dhe të inkurajojë ato për përformanca më të mira.  Sigurimi i cilësisë së lartë të dhënave në Rrjetin Evropian të Vëzhgimit dhe Informimit Mjedisor- EIONET është një nga objektivat themelore të Agjencionit Evropian të Mjedisit. Për të arritur këtë objekti ajo synon që këto të dhëna të sigurohen me kohë, të jenë relevante dhe të besueshme.

 

Pjesëmarrja e Kosovës, përkatësisht Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës në aktivitetet e Agjencisë Evropiane të Mjedisit është mundësuar në kuadër të projektit të IPA-s “Pjesëmarrja e Vendeve të Ballkanit Perëndimor në punën e EEA”. Kosova është kyçur në këtë projekt fillimisht në vitin 2010, për të vazhduar me fazën e dytë të projektit që ka filluar në fillim të këtij viti dhe do të vazhdojë deri në fund të vitit 2013. Projekti realizohet në kuadër të masave përgatitore për përkrahjen e vendeve kandidate dhe kandidate potenciale në procesin e integrimeve evropiane, me theks të veçantë përkrahjen e Agjencive të Mbrojtjes së Mjedisit të vendeve të Ballkanit në pjesëmarrjen e tyre në aktivitetet e organizuara nga Agjencioni Evropian i Mjedisit.   Qëllimi kryesor i projektit është të mbështesë vendet e Ballkanit Perëndimor në të gjitha aktivitetet kryesore të planifikuara në programin e punës së Agjencisë së Mjedisit të Evropës-EEA dhe Rrjetit Evropian Mjedisor për Informim dhe  Vëzhgim-EIONET. Projekti mes tjerash  synon të përmirësojë procesin e rrjedhjes dhe shkëmbimit të të dhënave në mes Agjencive të Mjedisit të Vendeve të Ballkanit dhe Agjencisë së Mjedisit të Evropës, të përfshijë kontributin e tyre në kuadër të Vlerësimeve dhe Raporteve për gjendjen e mjedisit të Evropës,  të mbështes Qendrat Fokale Nacionale dhe Qendrat Referentë Kombëtare në pjesëmarrjen e tyre në Punëtorit, Trajnimet dhe takimet e organizuar nga EEA dhe EIONET  si dhe të ofrojë mbështetje tjetër teknike përmes ekspertëve dhe projekteve.

 

Për me shume shkarko Raportin