143 - Lajmi Single | AMMK

Parqet Dinarike - Botë e pa zbuluar

27 November 2012

foto

27/11/2012-  Me organizim të Zyrës Mesdhetare të Fondit Botëror për Ruajtjen e Natyrës – WWF, prej datës 19 – 23 Nëntor 2012 në Banjallukë të Bosnje dhe Hercegovinës u mbajt Konferenca Ndërkombëtare “Parqet e Harkut Dinarik”.
 
Konferenca ishte një ndër aktivitetet e projektit "Parqeve të Harkut Dinarik" që organizata jo-qeveritare botërore për mbrojtjen e natyrës WWF po realizon në Shqipëri, Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi, Kroaci, Kosovë, Maqedoni, Slloveni dhe Serbi. Me moton “Parqet Dinarike- Botë e pa zbuluar”, projekti synon të promovojnë Harkun Dinarik si një rajon me një peizazh të larmishëm, por gjithashtu me një kulturë të unifikuar.  Projekti është i financuar nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme Norvegjeze dhe Fondacionit MAVA ndërsa implementues është Programi për Mesdheun i Fondit Botërorë për Ruajtjen e Natyrës (WWF).

 

Kosova në këtë projekt përfaqësohet me Parkun Kombëtarë “Mali Sharr”, Parkun e propozuar Kombëtarë “Bjeshkët e Nemuna” si dhe me dy parqet Natyrore: “Gërmia” dhe “Mirusha”.

 
Projekti "Parqet e Harkut Dinarik" ka filluar në janar të vitit 2012 me qëllimin kryesor të krijimit të një rrjeti prej 75 parqeve në rajon. Përveç kësaj ka edhe një detyrë shumë të rëndësishme, për të mësuar të punësuarit e parqeve në menaxhimin sa më të mirë të parqeve  dhe turizmin e qëndrueshëm. Një tjetër objektiv e këtij projekti është që të punojë për njohjen e Harkut Dinarik, që në botë do të duhej të jetë po aq i rëndësishëm sa edhe Alpet apo Karpatet. Harku Dinarik do të mund të bëhej sinonim për zhvillim të qëndrueshëm.

 

Qëllimi i këtij projekti është të forcojë dialogun dhe bashkëpunimin në rajon duke zhvilluar një ndjenjë të përkatësisë bazuar mbi trashëgiminë e përbashkët natyrore dhe të ndërtimit të një imazhi pozitiv të brendshëm dhe të jashtëm të rajonit. 

 
Ndër folësit kryesor në konferencë ishin Lučka Kajfež Bogataj, fituese e Çmimit Nobel për Paqe për vitin 2007, e cila mbajti një prezantim mbi ndryshimet klimatike dhe ndikimet që ato kanë në zonat e mbrojtura, natyrën dhe mjedisin. Nigel Dudley paraqiti përfitimet dhe vlerat e zonave të mbrojtura në rajon, ndërsa Erica Stanciu i ndau me pjesëmarrësit njohuritë e saj për zonat e mbrojtura në kontest të BE-së. Wilf Fenten nga Europarc Consulting mbajti një leksion si dhe trajnim për turizmin e qëndrueshëm. Konferencën e përshëndeti edhe ambasadorja e Norvegjisë në Republikën e Bosnje dhe Hercegovinës znj. Lilloe Anne Vibeke.
 

 

Delegacioni i Kosovës me këtë rast prezantoi zonat e mbrojtura të Kosovës me theks të veçantë Parqet e përfshira në këtë projekt, mënyrën e menaxhimit të këtyre parqeve si dhe sfidat me të cilat po përballet me qëllim të menaxhimit sa me të mirë të tyre.
 
Gjatë Konferencës u mbajtën edhe disa Punëtori e ndër to vlen të përmenden ajo e zhvillimit të qëndrueshëm të turizmit përmes përfshirjes së Parqeve Kombëtare në rrjetin e EuroParqeve. Kosova në këtë rrjet mendon të përfaqësohet me Parkun e vetëm Kombëtar “Mali Sharr”.
Pjesëmarrësit e konferencës patën rastin që në fund të Konferencës t`a vizitojnë edhe Parkun Kombëtar të Kozarës.
 

 

WWF-i është një nga organizata e pavarura më të mëdha dhe më të respektuar ndërkombëtare për mbrojtjen e natyrës, me gati pesë milionë mbështetës dhe me një rrjet global aktiv në më shumë se 100 vende. Misioni i WWF-it është për të ndaluar përkeqësimin e mjedisit natyror të tokës, mjedisit natyror si dhe për të ndërtuar një të ardhme në të cilën njerëzit do të jetojnë në harmoni me natyrën, përmes ruajtjes së biodiversitetit botëror, përdorimit të burimeve të ripërtërishme natyrore, zhvillimit të qëndrueshëm etj.