14 May 2013
14/05/2013- Kryeshefi Ekzekutiv i Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit në Kosovë, Dr. Sc Ilir Morina po merr pjesë në takimin e 20-të planerë të Rrjetit te shefave te Agjencioneve Evropiane të Mjedisit, i cili po mbahet në Kopenhagen të Danimarkës.
Në takim po diskutohet për aktivitetet kryesore të Rrjetit të realizuara gjatë një viti si dhe për prioritetet kryesore të planifikuara për të ardhmen, me theks të veçantë bashkëpunimin e Rrjetit me Komisionin Evropian dhe për objektivat në sektorin e ajrit, ndryshimeve klimatike dhe energjisë.
Gjatë qëndrimit në Kopenhagen, kryeshefi i AMMK-së, është takuar edhe me drejtorëshën ekzekutive të Agjencionit Evropian të Mjedisit prof. Jacquelin McGlade, e cila e përfundon mandatin e saj në qershor të këtij viti. Me këtë rast kryeshefi i AMMK-së, e ka falënderuar atë për përkrahjen që i ka dhënë Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, gjatë procesit të pjesëmarrjes në aktivitetet dhe punën e Agjencionit Evropian të Mjedisit. Në ndërkohë që drejtoresha ekzekutive e Agjencionit Evropian të Mjedisit, ka shprehur kënaqësinë e saj për progresin që ka arritur AMMK në kuadër të aktiviteteve në EEA dhe EIONET.
Përndryshe, rrjeti i Shefave i Agjencioneve Evropiane të Mjedisit i njohur ndryshe si EPA Network, mbledh rreth vetës të gjithë udhëheqësit ose drejtorët e Agjencioneve Nacionale për Mbrojtjen e Mjedisit ose institucioneve të ngjashme të vendeve evropiane. AMMK është bërë anëtari i 38-të i këtij rrjeti joformal me të drejta të barabarta vitin e kaluar.
Përmes pjesëmarrjen në takimet e rregullta të EPA Network Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës synon në radhë të parë të rrisë bashkëpunimin me Agjencionet tjera Evropiane të Mjedisit dhe të përfitojë nga to përvoja në implementimin e legjislacionit mjedisor, por gjithashtu të jetë edhe pjesë e zhvillimeve dhe trendeve evropiane në sektorin e mjedisit.