184 - Lajmi Single | AMMK

Vlerësim për cilësinë e ajrit në zonën e KEK-ut

06 August 2013

foto

06/08/2013- Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, përkatësisht Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, përmes një Raporti ka bërë vlerësimin e cilësisë së ajrit në zonën e KEK-ut. Qëllimi i Raportit, është informimi i publikut për cilësinë e ajrit në këtë zonë. Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, përmes këtij raporti në radhë të parë përmbushë obligimet ligjore që dalin nga Ligji për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligji për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja, si dhe obligimeve tjera mjedisore për të informuar me kohë dhe në mënyrë korrekte opinionin e gjerë dhe të gjitha palët tjera të interesit për gjendjen e ajrit në zonën e KEK-ut.

 

Po ashtu përmes këtij raporti AMMK, synon të rrisë edhe transparencën ndaj banorëve të kësaj zone si dhe të kontribuojë në hapat e mëtejmë në implementimin e projektit për Termocentralin Kosova e re.

 

 

AMMK vlerëson se transparenca dhe informimi reale për gjendjen e ajrit në komunën e Obiliqit, do të ndihmojë institucionet qendrore dhe ato lokale por edhe investitorët e ndryshëm në implementimin e suksesshëm të projekteve të reja energjetike dhe atyre për përmirësimin e gjendjes së mjedisit në këtë zonë, duke përfshirë në mënyrë më efikase publikun e gjerë jo vetëm përmes informimit por edhe përmes procesit të vendimmarrjes aktive.   

 

 

Raporti përmban të dhëna për cilësinë e ajrit të mbledhura nga sistemi i monitorimit automatik të vazhdueshëm, i cilësisë së ajrit në zonën e KEK-ut, i cili përbëhet nga tri stacione të monitorimit të vendosura në Obiliq-Qendra e Mjekësisë Familjare, në Dardhishtë, Shkolla Fillore dhe në Palaj, Objekti Kosova Mont. Raporti i referohet periudhës monitoruese nga 01 Janar -  31 Qershor të vitit 2013.

 

 

Në këtë raport përqendrimi i ndotësve në ajër, për periudhën monitoruese, është prezantuar përmes grafikoneve dhe tabelave.  Shqyrtimi i të dhënave të mbledhura është trajtuar duke iu referuar vlerave kufitare, dhe vlerave kufitare të pragut të informimit dhe  pragut të alarmit, për mbrojtjen e shëndetit të njeriut dhe ekosistemit, të përcaktuara me Direktivën 2008/50 dhe Udhëzimin administrative për vlerat kufitare- normat e cilësisë së ajrit; Nr.02/2011.

 

 

Nga vlerësimi dhe përpunimi i të dhënave të mbledhura vërehet se tejkalimet më të larta në tri stacionet e monitorimit kanë qenë me ndotësin PM10 dhe PM2.5. Nga kjo mundë të konstatohet se problemet kryesore të ndotjes së ajri në zonën e KEK-ut janë: cilësia e dobët e ajrit si pasojë e ndotjes me grimcat PM10 dhe PM2.5 dhe ngritja e përqendrimit të PM10 dhe PM2.5 në sezonin dimëror, si rrjedhojë e emetimit të gazrave nga KEK, nga djegiet për ngrohjen e shtëpive dhe nga kushtet meteorologjike.

 

 

Me qëllim të përmirësimit të cilësisë së ajrit dhe pasqyrimit më real të gjendjes në zonën e KEK-ut, AMMK rekomandohet që të zgjerohet rrjeti i monitorimit dhe të plotësohet me instrumente matëse, të shtohet numri i parametrave monitorues sipas kërkesave të parashtruara në ligjet dhe udhëzimet që rregullojnë çështjet e cilësisë së ajrit si dhe të merren masa nga institutcionet dhe operatorët ndotës për uljen e ndotjes me PM10 dhe PM2.5.
 
 
Për më shumë shiko: