191 - Lajmi Single | AMMK

Kryeshefi i AMMK-së, në treshen udhëheqëse të EPA Network

19 September 2013

foto

20.09.2013-Kryeshefi i Agjencionit për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, Dr.sc Ilir Morina po merr pjesë në takimin e 21-të të Rrjetit te shefave te Agjencioneve Evropiane të Mjedisit, i cili po mbahet në Berlin të Gjermanisë. Në takim po diskutohet për aktivitetet kryesore të Rrjetit të realizuara gjatë këtij viti si dhe për prioritetet e planifikuara për vitin e ardhshëm.

 

Theks i veçantë i është vënë bashkëpunimit të Rrjetit me Komisionin Evropian dhe mundësitë e bashkëpunimit me Parlamentin Evropian si dhe me institucionet tjera të BE-së. Tema tjera që po diskutohen në takim janë edhe monitorimi i Oganizmave të modifikuar gjenetik, koncepti i shërbimeve të ekosistemeve, politikat e reja mjedisore si dhe Forumi Botëror i Resurseve Natyrore.

 

Gjatë pjesëmarrjes në këtë takim, kryeshefi i AMMK-së, ka shfrytëzuar rastin dhe ka realizuar takime dhe me disa nga kryeshefat e Agjencive të vendeve të Bashkimit Evropian pjesëmarrës në takim, ku është diskutuar për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit dhe përfitimit të përvoja në monitorimin e mjedisit, implementimin e legjislacionit mjedisor por edhe përcjelljes aktive të zhvillimeve dhe trendeve evropiane në sektorin e mjedisit.

 

Përndryshe, rrjeti i Shefave i Agjencioneve Evropiane të Mjedisit i njohur ndryshe si EPA Network, mbledh rreth vetës të gjithë udhëheqësit ose drejtorët e Agjencioneve Nacionale për Mbrojtjen e Mjedisit ose institucioneve të ngjashme të vendeve evropiane. AMMK është anëtari i këtij rrjeti joformal që nga viti 2011.

 

Takimi i radhës i Rrjetit te shefave te Agjencioneve Evropiane të Mjedisit, i 22-të me radhë do të mbahet në Austri, ndërkohë që Kosova do të jetë nikoqire dhe organizatore e takimit të 23-të që pritet të mbahet në gjysmën e dytë të vitit 2014. Si rezultat e kesaj, sipas rregullave te EPA Network, qe nga ky takim kryeshefi i AMMK-se, per dy vitet e ardhshme do të jetë ne treshen udhëheqëse të rrjetit të kryeshefave dhe drejtorëve të Agjencive Evropiane.