03 December 2013
03/12/2013- Në mbledhjen e radhës së Qeverisë se Kosovës është aprovuar Plani Hapësinor për Parkut Kombëtar Sharri, i sponsorizuar nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor. Parku Kombëtar Sharri është njëra nga zonat më të bukura dhe më të vlerësuara natyrore të Kosovës, ku llojllojshmëria biologjike dhe peisazhore janë karakteristike jo vetëm për Kosovën por edhe për rajonin dhe më gjerë. Me qëllim të konservimit të kësaj bukurie dhe trashëgimie natyrore, MMPH përkatësisht Instituti për Planifikim Hapësinor kanë përfunduar hartimin e planit hapësinor, i cili në mënyrë të qartë përcakton kahjet e mbrojtjes dhe zhvillimit të qëndrueshëm të Parkut.
Dokumenti është rezultat i punës jo vetëm nga stafi i MMPH-së, por edhe angazhimit të përbashkët të sektorëve të rëndësishëm të Qeverisë së Kosovës, komunave, institucioneve relevante, profesionistëve të fushave të ndryshme si dhe pjesëmarrësve nga shoqëria civile. Ky plan do të ngritë kualitetin e mbrojtjes në të gjithë territorin e Parkut, dhe në anën tjetër do të ofrojë kushte për zhvillimin e kontrolluar në disa zona karakteristike. Në kuadër të Planit është paraparë dhe projekti zhvillimor i qendrës turistike Brezovica.
Gjatë procesit të deritashëm janë mbajtur takime me sektorë të ndryshëm të Qeverisë së Kosovës, duke i harmonizuar politikat e të gjithë këtyre sektorëve që ndërlidhen me hapësirën e Parkut. Gjithashtu, takime janë organizuar edhe me përfaqësuesit e qeverive lokale, siç janë ato të komunës së Prizrenit, Suharekës, Kaçanikut, Dragashit dhe komunës së Shtërpcës, në territoret e të cilave shtrihet dhe kufizohet Parku. Takime dhe konsulta janë mbajtur edhe me profesionistë të fushave të ndryshme dhe organizata që punojnë dhe veprojnë në Kosovë.