540 - Lajmi Single | AMMK

Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës pjesë e aktiviteteve të rrjetit të zonave të mbrojtura Emerald

16 December 2021

foto

16.12.2021- Përfaqësuesit e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës kanë marrë pjesë në takimin virtual të organizuar nga  Agjencioni Evropian i Mjedisit, Komisioni Evropian dhe Këshilli i Evropës, të cilët po bashkëpunojnë ngushtë për të mbështetur përparimin në krijimin e Rrjetit të zonave të mbrojtura Emerald në vendet e Ballkanit Perëndimor.  Pjesëmarrësit e këtij aktiviteti kanë përfshirë kryesisht ekspertë që kanë përvojë në projekte dhe procese të zhvillimit të Rrjetit Emerald, dhe të Natura 2000, që është pjesë e rëndësishme e Rrjetit të zonave Emerald.

 

Rrjeti i zonave Emerald është rrjeti ekologjik për ruajtjen e llojeve të kafshëve dhe bimëve të egra dhe habitateve natyrore me rëndësi evropiane. Ai përbëhet nga Zonat me Interes të Veçantë të Konservimit të përcaktuara sipas Rekomandimit dhe Rezolutës së Komitetit të Përhershëm të Konventës së Bernës.

 

Qëllimi i këtij rrjeti është mbledhja e të dhënave të strukturuara dhe të krahasueshme mbi habitatet dhe llojet me interes evropian, që synojnë të ofrojnë informacionin e nevojshëm për ti mundësuar Komitetit te Përhershëm të Konventës së Bernës të koordinojë masat për të krijuar dhe mbajtur një Rrjet koherent Emerald, si dhe ruajtjen e llojeve dhe habitateve të tyre.

 

Pjesë e detyrave të Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës është edhe bashkëpunimi me institucionet ndërkombëtare në përmbushjen e obligimeve dhe detyrimeve që dalin nga marrëveshjet ndërkombëtare, konventat dhe direktivat në sektorin e mbrojtjes së natyrës.