66 - Lajmi Single | AMMK

Udhëtim studimorë për gazetarë në Bjeshkët e Nemuna

26 August 2010

foto

Ne kuadër të projektit "Kosova e qëndrueshme, ngritja e kuadrit të OJQ-ve mjedisore", ditë më parë është organizuar një udhëtim studimorë për gazetarë në Bjeshkët e Nemuna. Në këtë aktivitet të rëndësishëm mjedisorë morën pjesë edhe z. Mahir Yagcilar, Ministër i Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë, z. Idriz Vehapi, Ministër i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, z. Adem Graboci, zv. Ministër i Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit, z. Ilir Morina, Kryeshef i Agjencisë së Kosovës për Mbrojtjen e Mjedisit, z. Ali Berisha, Kryetar i Komunës së Pejës, përfaqësues nga OJQ-të mjedisore, si dhe përfaqësues të mediave.

 

Të pranishmit janë përshëndetur nga përfaqësuesit e MMPH-së, REC-ut dhe Komunës së Pejës, të cilët kanë inkurajuar mediat që ti japin rëndësi më të madhe problematikave mjedisore dhe të kontribuojnë më shumë në sensibilizimin e opinionit për vlerat natyrore të Bjeshkëve të Nemuna.

 

Edhe prezantimet e OJQ-ve mjedisore dhe përfaqësuesve të pushtetit lokal si dhe diskutimet e të pranishmëve kanë qenë të fokusuara në vlerat natyrore të Bjeshkëve të Nemuna, mundësitë, përparësitë dhe domosdoshmëritë e shpalljes së tyre Park Nacional. Një rëndësi e veçantë në këto diskutime i është dhënë edhe bashkëpunimit me popullatën lokale dhe informimit të tyre për mundësitë e përfitimeve nga zhvillimi i ekoturizmit dhe aktiviteteve tjera socio-ekonomike.

 

Në kuadër të këtij aktiviteti përveç vizitës në fshatin turistikë Bogaj dhe në fshatin Drelaj është shfaqur edhe filmi dokumentarë i OJQ-ERA, ku janë prezantuar, prerjet e pakontrolluara të pyjeve, degradimi i resurseve natyrore dhe ndikimet tjera negative në Rajonin e Bjeshkëve të Nemuna. Projekti "Kosova e qëndrueshme, ngritja e kuadrit të OJQ-ve mjedisore", është pjesë e programit Matra, për transformim e shoqërisë, që financohet nga Ministria Holandeze e punëve të jashtme dhe implementohet nga zyra e REC-ut në Kosovë. Qëllimi i projektit është tu ofrojë OJQ-ve mjedisore të Kosovës, trajnime të nevojshme, në rindërtimin dhe dizajnimin e planeve zhvillimore të pranueshme për mjedisin.