69 - Lajmi Single | AMMK

Publikohet Raporti i parë zyrtarë për Gjendjen e Ujërave në Kosovë

22 September 2010

foto

22 shtator 2010

Në një aktivitet të organizuar me rastin e Ditës Botërore të Qyteteve të Pastra dhe Ditës Botërore pa Makina, MMPH përkatësisht AMMK ka promovuar Raportin për gjendjen e ujërave në Kosovë.

Raporti  përveç të dhënave për gjendjen e ujërave sipërfaqësore dhe ujërave të pijes përmban të dhëna edhe për kornizën ligjore dhe institucionale për ujërat, resurset ujore, shfrytëzimin e ujërave, erozionin, përmbytjet si dhe të dhëna të tjera të përgjithshme për sektorin e ujërave. Njëherit ky është raporti i parë zyrtarë për gjendjen e ujërave i publikuar nga MMPH.

Në fjalën e tij të rastit zv.Ministri i MMPH-së Idriz Vehapi ka thënë se menaxhimi i resurseve ujore, mbrojtja dhe monitorimi i cilësisë së tyre është një prej detyrave dhe përgjegjësive më të rëndësishme të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.

Tutje ai ka theksuar se përderisa në përgatitjen e kornizës ligjore për ujërat është shënuar një progres i çmueshëm, mbrojtja efikase e resurseve ujore dhe sistemi i integruar i monitorimit të cilësisë së ujërave sipërfaqësore ende mbesin sfida për MMPH-në dhe objektiva që synojmë t'i realizojmë në të ardhmen. Duke folur për Raportin për Gjendjen e Ujërave zv.ministri Vehapi, ka nënvizuar se "edhe pse qëllimi primar i këtij raporti është informimi për gjendjen e ujërave në Kosovë, ne shpresojmë se të dhënat e tijë do të shërbejnë edhe si një bazë e mirë për ndërtimin e politikave adekuate për sektorin e ujërave si dhe orientimin e zhvillimeve, planifikimeve dhe investimeve strategjike në këtë sektor".

Prof.Dr. Selvete Krasniqi nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në fjalën e saj ka potencuar nevojën e bashkëpunimit ndërinstitucional për monitorimin e gjendjes së ujërave, shkëmbimin e informacioneve dhe përmirësimin e sistemit të informimit për gjendjen e ujërave.

Ndërsa z.Rizah Hjadari nga AMMK ka bërë një prezantim të të gjeturave kryesore të raportit, problemeve dhe rekomandimeve.