75 - Lajmi Single | AMMK

Përmbyllet faza e parë e projektit “Hartimi i Kadastrit të Ndotësve të Ujërave të Kosovës”

28 January 2011

foto

28.01.2011- Në ambientit e Hotel Prishtina, është mbajtur ceremonia përmbyllëse e projektit “Hartimi i Kadastrit të Ndotësve të Ujërave të Kosovës”, projekt ky i mbështetur financiarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe i implementuar nga Qendra Rajonale e Mjedisit- REC Zyra në Kosovë në bashkëpunim me Ministrinë e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor përkatësisht Agjencionin për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës.

Me këtë rast është bërë edhe promovimi Raportit për Kadastrin e Ndotësve të Ujërave si dhe i Databazës së Kadastrit.

Ministri i MMPH-së, Mahir Yagcilar në fjalën e tij mes tjerash ka potencuar se “identifikimi i ndotësve potencial të ujërave dhe përgatitja e kadastrit të këtyre ndotësve është një hap shumë i rëndësishëm në zgjidhjen e problemit të ujërave të ndotura në Kosovë, andaj edhe në të ardhmen MMPH do të mbështes dhe përkrah projektet e ngjashme për trajtimin e ujërave të zeza dhe monitorimin e shkarkimeve të ujërave të zeza në ujërat sipërfaqësore”.

Drejtori i zyrës së REC-ut për Kosovë, z. Zeqir Veselaj, ka falënderuar të gjithë ata që kanë kontribuar në finalizimin e këtij projekti duke vënë në pah mundësinë e vazhdimit të projektit edhe në fazën e dytë të tij, ndërsa ambasadori z.Sverre Johan Kvale, nga Ambasada e Norvegjisë në Prishtinë, ka vlerësuar se menaxhimi i ujërave të ndotura është vetëm një prej shumë sfidave që e presin Kosovën në të ardhmen dhe ka shprehur kënaqësinë që Qeveria Norvegjeze ka kontribuar në realizimin e këtij projekti.

Në pjesën përmbyllëse të projektit është bërë edhe shpërndarja e ceritifikateve nga trajnimi për operimin me databazën e kadastrit e ndotësve të ujërave, si dhe dorëzimi për AMMK i formularëve të plotësuar nga puna në terren dhe i disa pajisjeve teknike.