76 - Lajmi Single | AMMK

Shënohet 2 Shkurti, Dita Ndërkombëtare e Ligatinave

02 February 2011

foto

Me rastin e 2 Shkurtit-Ditës Ndërkombëtare të Ligatinave, Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës e ka shënuar këtë ngjarje të rëndësishme mjedisore me një takim ku kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve qeveritare, ekspertë të kësaj fushe si dhe përfaqësues nga organizatat jo qeveritare. Në fjalën e tij kryeshefi i AMMK-së, Dr.sc Ilir Morina ka theksuar se në vargun e angazhimeve dhe aktiviteteve të saj, AMMK i ka kushtuar një vëmendje të posaçme edhe mbrojtjes së natyrës dhe biodiversitetit e me theks të veçantë mbrojtjes së zogjve që është e ndërlidhur ngushtë me mbrojtjen e ligatinave. Prof.Dr. Behxhet Mustafa nga Departamenti i Biologjisë së Fakultetit të Shkencave ka potencuar se pas ekosistemeve pyjore, ekosistemet e ligatinave janë ekosistemet me biodiversitetin më të bujshëm dhe ka shtuar se këto ekosisteme janë të rëndësishme sidomos për faktin se janë hapësira jetësore të shumë llojeve të zogjve. Ai ka vënë në pah se Ligatina e Hencit e cila ndodhet në afërsi të Aeroportit të Prishtinës është një prej zonave që plotëson kushtet për tu shpallur Ligatinë me rëndësi ndërkombëtare. Ndërkohë duke folur për aktivitetin e organizatave jo qeveritare në mbrojtjen e zogjve, z.Nexhmedin Ramadani nga OJQ “Finch” ka përmendur disa nga aktivitetet më të rëndësishme të kësaj organizate si dhe ka bërë thirrje që të punohet më shumë në ruajtjen e zogjve përmes shpalljes së zonave të mbrojtura të zogjve dhe monitorimit të gjendjes së llojeve të rrezikuara të tyre.  Ai po ashtu ka vlerësuar se Liqeni i Breznës në Komunën e Dragashit, është një prej ligatinave me vlera të rralla natyrore dhe vendbanim i shumë llojeve të zogjve dhe ka propozuar që edhe kjo zonë të merret në mbrojtje ligjore.

Shënimi i 2 Shkurtit-Ditës Ndërkombëtare të Ligatinave sivjet korrespondon edhe me përvjetorin e dyzetë të Konventës së Ramsarit e cila është një marrëveshje ndërqeveritare që përcakton kornizën për një bashkëpunim ndërkombëtar në mbrojtjen dhe përdorimin e qëndrueshëm të ligatinave. Tema ndërkombëtare për shënimin e Ditën Botërore të Ligatinave për këtë vit ishte "Ligatinat dhe pyjet - pyjet për ujë dhe ligatina"  që është në përputhshmëri edhe me shpalljen e vitit 2011 si Viti Ndërkombëtar i Pyjeve nga Kombet e Bashkuara.

Me qëllim të sensibilizimit të opinionit të gjerë për rendësin e ruajtjes së Ligatinave në veçanti dhe zogjve në përgjithësi, Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës ka përgatitur edhe një broshurë informative.

Shkarko broshurën për 2 Shkurtin-Ditën Ndërkombëtare të Ligatinave