762 - Lajmi Single | AMMK

Kompletohet Rrjeti Hidrometrik i Monitorimit dhe Raportimit në Kohë Reale

15 March 2024

foto

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK), ka finalizuar njërin nga projektet më të rëndësishme në fushën e hidrologjisë në Kosovë. Ky aktivitet është realizuar në kuadër të programit FLOWS, mbështetur nga Banka Botërore.   Projekti ka përfshirë: blerjen e pajisjeve të teknologjisë së avancuar për monitorim hidrologjik, ndërrimin e sistemeve dhe teknologjive të vjetruara me ato të reja, qasjen  në kohë reale në të dhëna si dhe transferimin online të tyre përmes GPRS.

Në 7 nga stacionet kryesore hidrometrike: Gjonaj (Drini Bardhë), Grykë e Rugovës (Bistrica e Pejës), Klinë (Lumi Klina), Leposaviç (Ibri), Nedakoc (Sitnica), Hani Elezit (Lepenci) dhe Viti (Morava e Binçës),  janë instaluar sisteme të kamerave për matjen e rrjedhave lumore që përfshijnë:  matjen e profilit të lumit, matjen e shpejtësisë sipërfaqësore të lumit, nivelit të ujit, llogaritjen e prurjeve të lumit, ruajtjen e të dhënave dhe transmetimi në distancë i të dhënave dhe imazheve të matjes. Po ashtu përmes këtyre pajisjeve mundësohet edhe zbatimi i sistemit matës të besueshëm gjatë ngjarjeve të përmbytjeve, matjet dhe alarmimi inteligjent i prurjeve në kohë reale si dhe matjet e profileve të tërthorëta përmes pajisjes matëse inovative lazerike të dorës.

Përmes këtij projekti 15 stacione hidrometrike kanë kaluar nga mënyra manuale e matjeve dhe ofrimit të të dhënave në mënyrën automatike. Në të gjitha këto stacione janë përcaktuar edhe “pragjet e përmbytjeve”, dhe mënyra automatike e dërgimit të SMS-ve gjatë përmbytjeve.

Pjesë e projektit është edhe aplikacioni DischargeApp i cili mundëson që përmes kamerave të telefonave inteligjentë, të bëhen matjet e rrjedhës së lumit duke llogaritur shpejtësinë në sipërfaqe përmes imazheve dhe videove për disa sekonda duke e llogaritur niveli e ujit dhe shpejtësia e rrjedhës sipërfaqësore, të dhena këto që bazuar nga të dhënat tjera mbi profilin mundësojnë edhe llogaritjen e  prurjeve.

Të gjitha të dhënat e matura dhe imazhet që regjistrohen nga pajisjet mund të transmetohen lehtësisht në cloud përmes GSM, SMS ose WiFi.