81 - Lajmi Single | AMMK

Raporti i Progresit për Kosovën- Përafrimi me standardet evropiane në fushën e mjedisit mbetet në fazë të hershme

18 October 2011

foto

18.10.2011- Raporti i Progresit për Kosovën për vitin 2011, i hartuar nga Komisioni Evropian në kuadër te përmbushjes se standardeve evropiane në sektorin e mjedisit ka evidentuar progresin e arritur dhe ka dhënë rekomandimet për përmbushjen e sfidave.
 
Në kuadër të progresit të arritur në Raport thuhet se ka pasur përparim të kufizuar në fushën e legjislacionit horizontal, ka pasur ca përparim në fushën e cilësisë se ajrit, dhe ka pasur pak përparim në fushën e menaxhimit të mbeturinave. Sa i përket cilësisë së ujit, raporti evidenton se ka pasur shumë pak përparim sikurse është shënuar përparim i vogël edhe në fushën e mbrojtjes së natyrës. Pak përparim është shënuar edhe në fushën e kemikateve dhe në fushën e ndryshimeve klimatike, ndërkohë që është arritur përparim i kufizuar edhe në fushën e kontrollit të ndotjes industriale dhe menaxhimit të rrezikut.
 
Raporti nxjerrë përfundimin se në përgjithësi, përafrimi me standardet evropiane në fushën e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike mbetet në një fazë të hershme, ndërkohë që si çështje brengosëse e ndërlidhur me sektorin e mjedisit është përmendur edhe buxheti i pamjaftueshëm për Ministrinë e Mjedisit duke vlerësuar se buxheti i zotuar në këtë sektor është i pamjaftueshëm për t’u ballafaquar në sfidat e mëdha mjedisore që i ka Kosova, në veçanti nevojat e konsiderueshme për investim në infrastrukturë.
 
Në kuadër të rekomandimeve të sugjeruara për përmbushjen e sfidave në raport theksohet se debati politik për çështjet mjedisore duhet të zhvillohet edhe më tutje. Po ashtu rekomandohet qe Kosova duhet të ndërmarr hapa konkretë drejt transpozimit dhe zbatimit të acquis, së BE-së për klimën, në veçanti të vendimin për mekanizmin e monitorimit. Raporti vë në pah se ekziston nevojë urgjente për ngritje të vetëdijes dhe planifikim strategjik në fushën e mjedisit dhe ndryshimit klimatik.
 
Kërkohen përpjekje të mëtutjeshme për përmirësimin e aranzhimeve institucionale në mënyrë që të sigurohet bashkërendimi dhe bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të përfshira në çështjet mjedisore dhe ndryshimin klimatik. Cilësia e ujit dhe ajrit kërkojnë vëmendje thelbësore për të plotësuar kërkesat minimale për shëndetin e njeriut.