813 - Lajmi Single | AMMK

Akademia e Mjedisit të BE 2025 – Thirrje për aplikim!

31 January 2025

foto

AMMK njofton të gjithë të interesuarit se aplikimi për Akademinë e Mjedisit të BE-së 2025, është hapur, dhe aplikacionet do të pranohen deri më 19 Shkurt 2025 ora 12:00.

Akademia e Mjedisit e BE-së mbulon temën e anëtarësimit në BE dhe integrimin e acquis të BE-së në fushën e mjedisit dhe ndryshimeve klimatike (kapitulli 27) dhe është një mundësi që ofrohet në kuadër të projektit të bashkëpunimit të AMMK me Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Suedisë. Si partnerë në organizimin e akademisë është Instituti Evropian për Administratë Publike EIPA në Mastriht/Luksemburg, ndërsa nikoqir i akademisë këtë vit është Mal i zi.

Programi është dizajnuar për t'u ofruar pjesëmarrësve të përzgjedhur njohuri të thella dhe aftësi praktike që aplikohen në procesin e anëtarësimit në BE, në kapitullin mjedisor të Acquis të BE-së. Njohuritë dhe aftësitë e fituara do t'u shërbejnë pjesëmarrësve në rolin e tyre aktual ose të ardhshëm në nivel kombëtar, rajonal ose lokal të administratës publike, ose në nivel të OJQ-ve mjedisore, si dhe në organizata ndërkombëtare.

Ftohen që të aplikojnë profesionistët nga Kosova, me njohuri të mira të gjuhës angleze, të cilët punojnë aktivisht në sektorin e mjedisit, duke përfshirë agjencitë qeveritare, institucionet publike ose organizata të tjera përkatëse sikurse janë OJQ mjedisore.

Vlen të theksohet se Akademia është një program shumë kërkues, i përbërë nga rreth 290 orë pune online gjatë gjithë vitit akademik, prandaj, pjesëmarrja në Akademi kërkon përkushtim dhe motivim.

Aplikantëve u kërkohet të dorëzojnë një CV dhe një Letër Motivimi, siç përshkruhet në ueb faqen e akademisë, duke detajuar motivimet dhe kualifikimet e tyre profesionale. Të gjitha aplikimet duhet të dërgohen në EUacademy@swedishepa.se

Ju inkurajojmë që ta ndani këtë infomacion me institucione ose individë që mund të përfitojnë nga pjesëmarrja në këtë kurs.

Të gjitha informacionet në lidhje me përmbajtjen e kursit, strukturën e kursit dhe procesin e aplikimit mund t'i gjeni në linkun e mëposhtëm: https://www.naturvardsverket.se/en/EUacademy