22 May 2025
Studentët e Universitetit të Prishtinës "Hasan Prishtina", nga Fakulteti i Shkencave Natyrore, Drejtimi Biologji të udhëhequr nga asistenti Bledar Pulaj, kanë vizituar sot Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës (IKMN).
Gjatë kësaj vizite studentët kishin mundësi të shohin nga afër punën e IKMN dhe të njoftohen për angazhimet, aktivitetet dhe projektet aktuale të Institutit në fushën e zonave të mbrojtura dhe biodiversitetit.
Gjatë diskutimit dhe bashkëbisedimit ata patën rastin të parashtrojnë pyetje dhe të marrin informata më të detajuara lidhur me procesin e shpalljes së zonave të mbrojtura, bashkëpunimin me komunat, monitorimin e zonave të mbrojtura dhe përmbushjen e obligimeve për mbrojtjen e natyrës dhe biodivesritetit në procesin e integrimeve evropiane.
Studentët u informuan edhe për mundësinë për tu angazhuar me punë praktike në Agjencinë e Mbrojtjes së Mjedisit të Kosovës përkatësisht në kuadër të hulumtimeve që Instituti i Natyrës realizon në fushën e mbrojtjes së natyrës dhe biodivesritetit.
IKMN tash e disa vite ka ndërtuar një partneritet të mirë të bashkëpunimit me Fakultetin e Shkencave Matematike Natyrore (FSHMN), ku përveç vizitave informuese, studentët e këtij fakulteti kanë mundësi edhe për kryerjen e punës praktike dhe përgatitjen e temave të diplomës.
Ky bashkëpunim po ashtu përfshinë edhe angazhimin e përbashkët të IKMN dhe FSHMN në projekte të rëndësishme hulumtuese në fushën e mbrojtjes së natyrës dhe biodivesritetit. Projekte të tilla të realizuara nga ky bashkëpunim janë hartimi i Librit të Kuq të Florës Vaskularë, hartimi i Librit të Kuq të Faunës, hartimi i studimeve dhe elaborateve për vlerat e natyrës për disa zona të mbrojtura dhe procesi i zonimit për disa nga këto zona.