827 - Lajmi Single | AMMK

Punëtori mbi Monitorimin dhe Vlerësimin e Gjendjes së Biomonumenteve të Natyrës

10 June 2025

foto

Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës - IKNM, që vepron në kuadër të Agjencisë së Kosovës për Mbrojtjen e Mjedisit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, organizoi punëtorinë mbi Monitorimin dhe Vlerësimin e Gjendjes së Biomonumenteve të Natyrës. Kjo punëtori u mbajt me përkrahjen e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi – FAO.

Në ketë punëtori kane marrë pjesë përfaqësues nga MMPHI, Universiteti i Prishtinës, konkretisht departamenti i Biologjisë, si dhe përfaqësuesin e nivelit lokal.

Qëllimi kryesor i punëtorisë ishte identifikimi i nevojave të monitorimit dhe vlerësimit të biomonumenteve të natyrës në veçanti të drunjëve, si vlera të trashëgimisë natyrore dhe ngritja e kapaciteteve për masa rehabilituese që kontribuojnë në ruajtjen dhe rritjen e jetëgjatësisë së tyre.

Fadil Bajraktari, drejtor i Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës, falënderoi FAO-n për mbështetje në realizmin e kësaj punëtorie dhe i uroi mirëseardhje ekspertes ndërkombëtare Shiroma Sathyapala, eksperte për shëndetin e pyjeve në pranë Zyrës Qendrore të FAO-s në Romë.

Instituti për Mbrojtjen e Natyrës në planin e punës e ka monitorimin e biomonumenteve, dhe organizimi i kësaj punëtorie do të ndikojë në cilësinë e monitorimit. Gjithashtu, do të marrim përvoja të reja për konservimin e tyre. Falënderoj FAO-n dhe shpresoj për bashkëpunim të mëtejshëm në projekte që kanë të bëjnë me mbrojtjen e biodiversitetit,” tha Bajraktari.

Nga ana tjetër, Naser Krasniqi, udhëheqës vendor i FAO-s në Kosovë, theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet vendore dhe mbështetjen e FAO-s për këtë iniciativë, duke shtuar se “aspekti mjedisor-është jashtëzakonisht i rëndësishëm për kujdesin ndaj këtyre monumenteve të identifikuara, por gjithsesi edhe aspekti social dhe kulturor është po ashtu shumë i rëndësishëm dhe për këtë arsye duhet të ketë mirëmbajtje adekuate institucionale të këtyre objekteve”.

Ekspertja ndërkombëtare Shiroma Sathyapala prezantoi praktikat më të mira për ruajtjen e biomonumenteve dhe theksoi rëndësinë e kapacitetit profesional të stafit të institucioneve përkatëse për t’i trajtuar këto monumente në mënyrë adekuate dhe për të rritur jetëgjatësinë e tyre, në mënyrë që ato të trashëgohen brez pas brezi.

Është mirë që po shohim këtu teknikë, profesorë e studentë. Ky është një aktivitet i shkëlqyer nga institucionet dhe e vlerësoj shumë punën që po bëni këtu, tha ekspertja ndërkombëtare Shiroma Sathyapala, e cila ka përvojë të gjatë në vende si Zelanda e Re, Budapesti dhe Roma, si dhe me angazhime të mëhershme edhe në Kosovë.