83 - Lajmi Single | AMMK

Në Malishevë zbulohet edhe një shpellë

31 August 2011

foto

31.08.2011- Në territorin e Komunës së Malishevës është zbuluar edhe një shpellë e re. Shpella ndodhet në fshatin Temeçinë të kësaj komune dhe është zbuluar nga i riu Fatmir Zabelaj, përderisa po nxirrte gur.  Me të dëgjuar informacionin për zbulimin e shpellës një ekip i Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, ka vizituar këtë lokalitet dhe ka hyrë në shpellë për të evidentuar gjendjen e vlerave natyrore të shpellës. Shpella gjendet në perëndim të fshatit, në lartësi mbidetar 638 m në lokalitetin “Shkozë”. Hapësira përreth shpellës mbulohet nga vegjetacioni i shkozës së zezë dhe i dushkut. Ekipi ka konstatuar se hapësira mbi dhe rreth shpellës është mjaft i degraduar nga faktori antropogjen si pasojë e nxjerrjes të gurëve nga banorët e fshatit Temeçinë dhe të fshatrave përreth.

 

Shpella nuk ka hyrje natyrore. Në hyrje të shpellës gjenden dy korridore, njeri korridor vazhdon në perëndim me gjatësi rreth 10 m, ndërsa korridori kryesor zbret në thellësi rreth 4 m. Pas 4 m nga hyrja gjendet një ngushticë shumë e ngushët me gjerësi rreth 50 cm dhe pas kësaj ngushticë korridori zgjerohet dhe mundë të lëvizët lirisht në këmbë, me rreth dy metra gjerësi dhe lartësi. Ky korridor vazhdon në juglindje me gjatësi rreth 12 m, pastaj korridori zgjerohet me gjerësi dhe lartësi rreth 3 m, i cili vazhdon në lindje me gjatësi rreth 20 m.

 

Ky korridor është i pasur me stalaktitet dhe stalagmite, ndërsa, dyshemeja e korridori është i pasur me kristalet e kalciumi qe kanë një ngjyrë të kuqërremtë. Në shpellë është mjaft freskët dhe vazhdimisht nga kristalet pikon ujë. Rreth 10 m nga hyrja, gjendet një korridor i ngushtë që vazhdon në veri rreth 3 m , pastaj ky korridor vazhdon në perëndim të shpellës. Ky është një korridor mjaft i ngushtë dhe më thellim deri në 2 m. Gjatësia e këtij korridorit është rreth 25 m, nuk është i pasur me kristale, ndërsa dyshemeja është e mbushur me argjilë.

 

Duke marrë për bazë vlerat e shpellës dhe me qëllim të ruajtjes së këtyre vlerave AMMK, sugjeron që të iniciohet procedura për marrjen në mbrojtje të kësaj shpelle, të ndalohen të gjithë aktivitetet në lokalitetin e shpellës më sipërfaqe rreth 2 ha, dhe që të gjitha hulumtimet në shpellë të realizohen nga ekspertët.

 

Përndryshe territori i komunës së Malishevës është i njohur edhe për shpella tjera sikur janë  Shpella e Flladit në Panorc, Shpella e Ngucatit dhe ajo e Shkozës.  Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës i ka të evidentuara këto shpella në regjistrin e monumenteve natyrore me vlera të veçanta natyrore dhe ka nisur proceduarat për marrjen në mbrojtje ligjore të tyre.