839 - Lajmi Single | AMMK

Takimi i parë i Grupit Koordinues për Mishngrënësit e Mëdhenj

24 July 2025

foto

Diskutohet për hapat drejt një menaxhimi të integruar dhe të qëndrueshëm

Në ambientet e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, u mbajt takimi i parë i Grupit Koordinues për Mishngrënësit e Mëdhenj, i themeluar me Vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës nr. 06/258 të datës 16.04.2025. Takimi u thirr nga Kryesuesi i Grupit dhe shërbeu si një pikënisje për bashkërendimin institucional rreth menaxhimit të mishngrënësve të mëdhenj si ariut të murrmë (Ursus arctos), rrëqebullit (Lynx lynx) dhe ujkut (Canis lupus), specie të mbrojtura me rëndësi të veçantë ekologjike dhe ligjore.

Ky takim informues dhe njëkohësisht pune, shënoi vendosjen e themelit për veprimet e ardhshme të koordinuara. Në fokus të diskutimeve ishin:

Përgjegjësitë dhe kompetencat e Grupit Koordinues, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe politikat kombëtare e ndërkombëtare;

Përpilimi i Planit të Punës për vitin 2025, me theks në masat prioritare dhe përmirësimin e mekanizmave të reagimit institucional;

Diskutimi i masave emergjente për trajtimin e paraqitjeve të jashtëzakonshme të arinjve në zonat e banuara, përfshirë analizën e rasteve të fundit dhe përcaktimin e masave parandaluese dhe intervenimeve të nevojshme;

Koordinimi i ardhshëm ndërinstitucional dhe ndërsektorial, përmes angazhimit të të gjitha palëve të interesit: komunave, menaxherëve të vendgjuetive, shoqërisë civile dhe institucioneve përkatëse.

Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e përcaktimit të një strukture të qartë operacionale, hartimit të protokolleve dhe strategjive për menaxhimin e incidenteve, organizimit të trajnimeve për ngritjen e kapaciteteve të autoriteteve menaxhuese dhe ekipeve intervenuese, si dhe domosdoshmërinë e zhvillimit të fushatave vetëdijësuese për publikun e gjerë. Këto fushata synojnë jo vetëm të promovojnë mbrojtjen dhe menaxhimin e mishngrënësve të mëdhenj, por edhe të edukojnë qytetarët se si të sillen në mënyrë të sigurt në zonat ku hasen këto kafshë, si të shmangin konfliktet dhe të minimizojnë rreziqet për njerëzit dhe për faunën e egër.

Gjithashtu, u theksua nevoja për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar, në përputhje me Kornizën Globale të Biodiversitetit, Strategjinë e Biodiversitetit të BE-së për 2030, Agjendën e Gjelbër për Ballkanin Perëndimor dhe konventat ndërkombëtare si Konventa e Bernës dhe Direktiva për Habitatet e BE-së.

Grupi Koordinues për Mishngrënësit e Mëdhenj, së bashku me Ekipin Intervenues, synojnë të jenë platforma aktive për parandalimin e konflikteve në mes të njerëzve dhe mishngrënësve të mëdhenj, si dhe promovimin e bashkëjetesës dhe ruajtjen afatgjate të tyre si pasuri natyrore dhe kombëtare.

Takimi i radhës do të mbahet në muajin shtator, ku pritet të finalizohet plani vjetor i punës dhe të diskutohen protokollet konkrete të veprimit në terren.