841 - Lajmi Single | AMMK

Promovimi i Parqeve Kombëtare përmes simbolit dhe platformave digjitale

21 August 2025

foto

Në kuadër të projektit të bashkëpunimit në mes të Agjencisë Suedeze për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës – Ngritja e Kapaciteteve për Mbrojtjen e Natyrës dhe Përdorimin e të Dhënave Mjedisore, është mbajtur punëtoria për Simbolin dhe Ueb Faqen Zyrtare të Parqeve Kombëtare të Kosovës

Qëllimi i punëtorisë ishte të iniciohet procesi i krijimit të një simboli zyrtar dhe platformë në internet për Parqet Kombëtare të Kosovës, të mblidhen pikëpamje, ide dhe sugjerime nga pjesëmarrësit lidhur me procesin, të definohen vlerat thelbësore të Parqeve Kombëtare që do të formësojnë identitetin vizual dhe përmbajtjen e ueb faqes si dhe të përcaktohen hapat ardhshëm për përzgjedhjen e metodave dhe kapaciteteve dizajnuese të nevojshme për zbatimin e rezultateve.

Në takim u prezantua dhe u diskutuar për përvojën suedeze rreth dizajnimit të logos dhe uebfaqes së  parqeve kombëtare, qëllimet, analizën e përdoruesve, procesin aktual te ridizajnimit dhe profilin e përdoruesve.  Po ashtu u diskutua mbi procesin e përgatitjes së simbolit dhe ueb faqes së Parqeve Kombëtare të Kosovës, përmbajtjen e simbolit dhe ueb faqes, perspektivën e përdoruesve, mënyrën e komunikimit dhe elemente tjera të rëndësishme për këtë proces.

Gjatë diskutimeve u propozua që simboli dhe ueb faqja, përveç elementeve natyrore karakteristike të parqeve tona të kenë edhe elemente nga trashëgimia jonë kulturore dhe historike, elemente edukimi dhe interaktiviteti.

Pjesëmarrës në punëtori ishin përfaqësues nga Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK/KEPA), Agjencia Suedeze për Mbrojtjen e Mjedisit (SwEPA), MMPHI, Save the Children dhe palë të tjera të interesit.

Projekti i bashkëpunimit në mes të Agjencisë Suedeze për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, mbështetet nga Ambasada Suedeze në Kosovë përmes Agjencionit Suedez për Zhvillimi Ndërkombëtarë (SIDA).