11 September 2025
Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) ka nisur aktivitetet hulumtuese për monitorimin e llojit invaziv Krapi i Kuq i Luizianës (Louisiana red crayfish), në ekosistemet e ujërave nëntokësore të Kosovës.
Ky aktivitet po realizohet në kuadër të një projekti ndërkombëtarë të mbështetur nga Unioni Ndërkombëtar i Speleologjisë (UIS), dhe të koordinuar nga organizata Tetide APS (Itali), me partneret që janë kryesisht organizata kërkimore, speologjike dhe limonologjike nga: Italia, Kroacia, Greqia, Izraeli dhe Kosova, e cila përfaqësohet nga Instituti për Mbrojtjen e Natyrës, që koordinon aktivitetet në nivel nacional.
Qëllimi i projektit është studimi i përhapjes së Krapit të Kuq të Luizianës në ekosistemet nëntokësore dhe zhvillimi i strategjive për menaxhimin dhe mbrojtjen e habitateve të ndjeshme, duke përfshirë dhe monitorimin e standardizuar shkencor, zgjedhjen e kampioneve bazuar në karakteristikat hidrologjike dhe gjeomorfologjike, përdorimin e kurtheve selektive për mbrojtjen e specieve vendase dhe vlerësimin e parametrave biologjik dhe kimik të këtij lloji.
Aktiviteti hulumtues për monitorimin e këtij lloji invaziv në Kosovë, kanë filluar në “Shpellën e Flladit” në Panorc, një monument i mbrojtur i natyrës me karakter speolologjik, dhe do të vazhdojnë edhe në Shpellën e Radavcit dhe shpellat e tjera që karakterizohen nga prania e ujërave nëntokësore.
Përmes pjesëmarrjes në këtë projekt, AMMK dhe Instituti për Mbrojtjen e Natyrës synojnë të kontribuojnë në monitorimin e natyrës dhe biodiversitetit, si dhe në forcimin e bashkëpunimit shkencor ndërkombëtar në fushën e mbrojtjes së biodiversitetit dhe kontrollit të specieve invazive.