86 - Lajmi Single | AMMK

KEK-u, investon 25 milionë euro për të reduktuar ndotjen

09 September 2011

foto

09/09/2011- Investimet në shumën rreth 25-milionëshe, që Korporata Elektroenergjetike të Kosovës (KEK) planifikon t`i bëjë në sistemin e filtrave në blloqet e Termocentralit “Kosova A”, po i shqetësojnë banorët e Komunës së Obiliqit, të cilët druajnë se me këto investime Qeveria e Kosovës po tenton që t`ia zgjasë jetën këtij termocentrali, i cili është edhe ndotësi më i madh i mjedisit për shkak të teknologjisë së stërvjetëruar të tij.
Edhe pse zyrtarët e KEK-ut, deklarojnë se këto investime nuk janë për t`ua zgjatur jetën blloqeve të Tc “Kosova A”, kryetari i Komunës së Obiliqit, Mehmet Krasniqi, edhe pse i gëzohet çdo investimi që ka për qëllim përmirësimin e ambientit, thotë se ideja për ta mbajtur në funksion këtë termocentral është shumë shqetësuese për banorët e komunës së tij. Ai thotë se procesin për mbylljen e këtij termocentrali po e përcjell një jotransparencë dhe kërkon që së paku Komuna e Obiliqit të jetë e informuar për këtë çështje.
“Natyrisht, ne si komunë e mirëpresim çdo lloj të investimit në këtë drejtim, pra investimet që kanë të bëjnë me përmirësimin e gjendjes mjedisore. Por, na është dukur interesante se kemi të bëjmë me një investim milionësh dhe na është krijuar një hamendje se mos ka ndryshuar qëndrimi, i cili ka qenë që brenda pesë vitesh të eliminohet, mbyllet ky termocentral, i cili për banorët e Obiliqit paraqet një problem shumë të madh”, thotë kryetari Krasniqi.
Mirëpo, përkundër asaj se zyrtarët e KEK-ut deklarohen se këto investime nuk kanë qëllim zgjatjen e jetës së Tc “Kosova A”, mbyllja e tij nuk do të mund të realizohet ashtu siç ka kërkuar Zyra Ndërlidhëse e Komisioni Evropian në Kosovë, e cila kishte paraparë që mbyllja të përfundojë në vitin 2015.
 
Lexo më shumë në:  http://www.kosova-sot.info/ekonomi/25-milione-per-ta-ulur-ndotjen