88 - Lajmi Single | AMMK

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë inicion padi kundër “Feronikelit”

09 September 2011

foto

09/09/2011-Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor (MMPH), të enjten ka bërë kërkesë për fillimin e procedurës për kundërvajtje kundër “NEWCO Ferronikeli COMPLEX LLC”.

Pas inspektimit të bërë nga Inspektorati i MMPH-së, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka vërejtur se “Feronikeli” me aktivitetet e shkrirjes dhe prodhimit te Fe-Ni, si burim i ndotjes së mjedisit nuk është duke i zbatuar detyrimet ligjore në bazë të dispozitave ligjore në fuqi për monitorimin e shkarkimeve në ajër.

“Operatori në fjalë nuk i ka përmbushur detyrimet ligjore të sanksionuar me dispozita ndëshkuese për kundërvajtje sipas nenit 38 paragrafi 1.4 të “Ligjit për mbrojtjen e ajrit nga ndotja” nr. 03/L-160”, thuhet në komunikatën e MMPH-së.

Ndërsa, në  arsyetimin e Inspektoratit te Mjedisit thuhet se gjatë mbikëqyrjes inspektuese në “New Co Feronikeli LLC” në Gllogovc është konstatuar se kompania në fjalë ende nuk ka të instaluar sistemin për monitorimin intern me qëllim të përcjelljes së shkallës së ndotjes së ajrit nga emisioni i gazrave dhe pluhurit nga procesi teknologjik i prodhimit, që është në kundërshtim me obligimet ligjore të “Ligjit për mbrojtjen e ajrit nga ndotja” dhe me Udhëzimin Administrativ “Mbi rregullat dhe normat e shkarkimeve në ajër nga burimet e palëvizshme të ndotjes”.

Nga mos instalimi i sistemit vetanak intern për monitorimin e vazhdueshëm të ndotjes së ajrit dhe faktorëve tjerë të mjedisit dhe nga shkarkimet e gazrave dhe pluhurit, është krijuar një situatë e rëndë dhe e pa kontrolluar e mjedisit, gjë që ndikon në shëndetin publik dhe në ndotjen e mjedisit përreth kompleksit dhe më gjerë. Kjo e bënë Operatorin ekonomik New Co Feronikeli LLC” në Gllogovc përgjegjës për situatën e rëndë mjedisore, thuhet mes tjerash në arsyetimin e Inspektoratit Mjedisor.