05 April 2026
Federata e Parqeve Evropiane EUROPARC ka mirëpritur në gjirin e saj Parkun Kombëtar "Sharri" si anëtarin më të ri. Ky është vlerësuar si një moment i veçantë, pasi Sharri bëhet anëtari i parë nga Kosova, duke forcuar rrjetin e parqeve evropiane edhe me një anëtarë të ri nga Evropa Juglindore.
Me biodiversitetin e tij të jashtëzakonshëm, lidhjet e forta me komunitetin dhe angazhimin për zhvillim të qëndrueshëm, Parku Kombëtar "Sharri" është një shtesë e vlefshme në rrjetin EUROPARC, thuhet në njoftimin mirëseardhës.
Në njoftimin e EUROPARC, përshkruhen edhe vlerat e Parkut Kombëtar Sharri, duke e konsideruar atë si një strehë për biodiversitetin e lartësive të mëdha dhe speciet ikonike dhe duke veçuar strategjinë e tij për ruajtjen e bidoversitetit që përqendrohet në: mbrojtjen dhe ruajtjen e habitateve natyrore dhe biodiversitetit, mbështetjen e stileve tradicionale të jetesës në komunitetet përreth, ofrimin e qasjes për arsim, kërkim dhe rekreacion dhe sigurimin e ruajtjes afatgjate të habitatit për brezat e ardhshëm.
Në njoftim po ashtu i jepet rëndësi edhe arritjeve kryesore të ekipit të parkut viteve të fundit që përfshijnë: zbulimin e specieve të reja endemike, projektet e bashkëpunimit ndërkufitarë, dhe anëtarësimin në Federatën EUROPARC si një forcim i rolit të Sharrit në përpjekjet evropiane të ruajtjes.
Në kuadër të informatave për Parkun Kombëtar "Sharri" të prezantuara në ueb faqen e Federatës Europark i jepet rëndësi edhe mbështetjes së blegtorisë tradicionale në Malet e Sharrit, bashkëpunimit me fermerët e bagëtive dhe shoqatat e tyre, mirëmbajtjes së infrastrukturës malore, zhvillimit të turizmit të qëndrueshëm, mbrojtjes së jetës së egër përmes zonave strikte, monitorimit dhe kontrollit të parkut, si dhe zbatimit të programeve të edukimit mjedisor për vizitorët dhe komunitetet lokale.
Për më shumë shihni njoftimin në portalin e Federatës së Parqeve Evropiane EUROPARC