24 October 2011
AMMK ka konstatuar se gjendja në deponi është mjaft e rendë si pasojë e keq menaxhimit por edhe e faktorëve tjerë. Gjatë vizitës është konstatuar se pompat për trajtimin e ujërave të zeza nuk janë futur në përdorim që nga viti 2007. Si pasoj e kësaj vjen deri te përzierja e ujërave të zeza me ujërat sipërfaqësore. Edhe pse ekziston laguna për grumbullimin e ujërave nga deponia ajo nuk funksionon fare si pasojë e mos kompaktësimit të mbeturinave të hedhura pranë lagunës. Si rrjedhojë niveli i ujërave në deponi ka arritur nivelin prej 9-15 m.
Një shqetësim tjetër që është aktualizuar sidomos kohëve të fundit është djegia e mbeturinave në deponi e cila ka ndikuar edhe në ndotjen e ajrit në këtë zonë. Si rrjedhojë e këtyre faktorëve ne deponi ka një kundërmim te rëndë dhe ekzistojnë parakushte për përhapjen e sëmundjeve dhe epidemive të ndryshme. Vlerësimi i AMMK-së është se menaxhimi aktual i deponisë është në nivel shumë të ulët dhe nuk përfill standardet e aplikueshme për menaxhimin e deponive. Kjo situatë ka nxituar edhe Inspektoratin e Mjedisit në Ministrin e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë të nis procedurën për kundërvajtje kundër Kompanisë për Menaxhimin e Deponive të Kosovës e cila është përgjegjëse për menaxhimin e kësaj deponie.
Me qëllim të përmirësimit të gjendjes AMMK rekomandon që të bëhet riaktivizimi i lagunës për trajtimin e ujërave të deponisë, të aktivizohet sistemi i pompimit me qëllim të eliminimit të përzierjes së ujërave të deponisë me ujërat sipërfaqësore, të ndalohet djegia e mbeturinave si dhe të behet kompaktësimi i të gjitha mbeturinave në deponi. AMMK sugjeron po ashtu që të bëhet edhe monitorimi i shkallës së ndotjes së ajrit dhe ujit në këtë zonë me qëllim që të përcaktohet kualiteti i ajrit dhe ujit.
Deponia Sanitare për Regjionin e Prishtinës me lokacion në Mirash të Obiliçit është ndërtuar në vitin 2005 me ndihmën e Agjencionit Evropian për Rindërtim. Deponia ka sipërfaqe pre 40 ha dhe është e dedikuar për grumbullimin e mbeturinave nga komuna e Prishtinës, Obiliqit, Lipjanit, Fushë Kosovës dhe Gllogocvcit. Deponia është e dizajnuar për pranimin e mbeturinave me një kapaciteti total prej 3.500 000 m3. Kohëzgjatja e funksionimit të kësaj deponie është e paraparë për 15 vite.