91 - Lajmi Single | AMMK

U mbajt Seminari ”Vlerësimi Afatmesëm” i Projektit të Binjakëzimit - Mbështetje Sektorit të Mjedisit në Kosovë

22 November 2011

foto

22.11.2011- Sot në ambientet e Qendrës Informative dhe Kulturore të BE-së në Prishtinë është mbajtur  “Seminari Vlerësimi Afatmesëm” i Projektit të Binjakëzimit të BE-së “Mbështetje Sektorit te Mjedisit” në Kosovë. Ky seminar kishte për qëllim prezantimin e rezultateve të para, gjetjeve dhe të arriturave pas një viti pune intensive dhe bashkëpunimi të ngushtë midis Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Kosovës/Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës dhe ekspertëve nga Shtetet Anëtare të BE-së Austria, Finlanda dhe Letonia. Seminari ishte i  fokusuar kryesisht mbi përvojat e arritura deri më tani nga pikëvështrimi i ekspertëve të Kosovës dhe i institucioneve të përfshira, si dhe mbi rëndësinë që kanë këto rezultate për sektorin e mbrojtjes së mjedisit në Kosovë.
 
Në fjalën e tij të hapjes kryeshefi ekzekutiv i AMMK-së, Dr.Sc Ilir Morina bëri të ditur se :Projekti i Binjakëzimit Mbështetje Sektorit të Mjedisit në Kosovë, është  projekt i financuar nga Bashkimi Evropian me kohëzgjatje prej 22 muajsh, me një buxhet prej 1.0 milion € dhe me pjesëmarrje në bashkëfinancim edhe nga Buxheti Shtetëror i Kosovës. Ky projekt po implementohet nga Agjencia e Mjedisit e Austrisë (UBA), në bashkëpunim me eksperte nga Instituti Meteorologjik Finlandez dhe Qendra për Mjedis, Gjeologji dhe Meteorologji e Letonisë. Gjatë kësaj periudhe kohore projekti ka qenë i fokusuar në ngritjen e kapaciteteve të AMMK-së dhe njësive tjera të MMPH-së në përmirësimin gjendjes së mjedisit në Kosovë përmes avancimit të kontrollit dhe monitorimit të mjedisit, thellimin e bashkëpunimit me institucionet evropiane të mjedisit si dhe përmes raportimit efikas për gjendjen e mjedisit dhe ndërtimit të një sistemi efikas të informimit mjedisor” tha mes tjerash z. Morina.
 
Ndërkaq zëvendësministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë z. Shpëtim Rudi në fjalën e tij pasi shprehu një falënderim të veçantë për Komisionin Evropian dhe për zyrën e tij ndërlidhëse në Kosovë, për mbështetjen që i ka dhënë Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinorë përmes projektit të binjakëzimit, vuri në pah se “MMPH  në kuadër të angazhimeve të saj i ka dhënë një rëndësi të veçantë edhe çështjes së Integrimeve Evropiane dhe bashkëpunimit me Komisionin Evropian dhe me institucionet mjedisore të Bashkimit Evropian. Në kuadër të angazhimeve tona në procesin e integrimeve evropiane, përveç transpozimit të legjislacionit nacional mjedisor me direktivat e Bashkimit Evropian ku është shënuar një progres i çmuar, ne përmes projekteve dhe angazhimeve konkrete jemi munduar që ti përmbushim edhe sfidat dhe standardet tjera mjedisore që janë identifikuar nga Raportet e Progresit të Komisionit Evropian, tha ai dhe shtoi se: projektet e binjakëzimit janë instrument shumë i mirë për të ndihmuar në këto çështje.
 
Zëvendësministri i Ministrisë së Integrimeve Evropiane z. Gëzim Kasapolli, në fjalën e tij u fokusua në përmbushjen e standarde mjedisore në procesin e integrimeve evropiane, ndërsa z. Melvin Asin, nga Zyra ndërlidhëse e Komisionit Evropian në Kosovë foli për mbështetjen që ka ofruar dhe do të ofrojë Komisioni Evropian për sektorin mjedisit.
Lideri i projektit nga shtetet anëtare të Bashkimit Evropian z.Arnulf Schönbauer, foli për rrjedhën e deritanishme të projektit ndërsa zyrtarët nga Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, Departamenti i Ujërave, Departamenti i Mjedisit dhe Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës prezantuar rezultateve, gjetjeve dhe të arriturave e deritanishme në kuadër të projektit.